Shehu: Kriza prezente, do shtojmë kontingjencë të re
Aristir Lumezi
Numri dy i financave korrigjon brenda 24 orëve deklaratën e Kryeministrit për borxhin e brendshëm.Dy ditë më parë, kreu i Qeverisë theksoi se do të përdoreshin e paratë e privatizimeve për të rritur investimet. Por dje, zv.ministri Shehu e korrigjoi deklaratën e Berishës. Në një prononcim për mediat ai theksoi se ndarja e paratë të investimeve nuk do të bëhet me një formulë të re. “Janë keqinterpretuar ato që tha Kryeministri. Kryeministri tha në mënyrë të qartë që ne do të respektojmë vetëm ligjin dhe nuk i përdorim të ardhurat nga privatizimi për qëllime elektorale apo për qëllime të tjera’. Ne do të çojmë në Parlament disa ndryshime. Megjithëse ne e kemi në kompetencë për të bërë alokimin e të ardhurave nga privatizimi, ne do t’i çojmë ato për t’i bërë pjesë të paketës të rishikimit të buxhetit të vitit 2009. Formula do të zbatohet në mënyrë të rreptë, ashtu siç është caktuar edhe në marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por edhe në buxhetin e vitit 2009. Kjo do të thotë që 50% e të ardhurave do të shkojnë për investime publike dhe 50% për ulje borxhi”, theksoi Shehu. Por prekja e parave të privatizimeve nuk është i vetmi korrigjim që i bën Shehu Kryeministrit. Sipas tij, një tjetër deklaratë e Berishës duhet të jetë kuptuar gabim. Dy ditë më parë kreu i Qeverisë pranoi një rritje me 1 pikë përqindje të borxhit të brendshëm. “Ne parashikojmë që efekti i shkurtimit të shpenzimeve do të jetë rreth 8 miliardë lekë dhe po kaq do të jetë efekti neto i uljes së të ardhurave tatimore. Pra, ne do shlyejmë mosrealizimet në të ardhura me kursimet në shpenzime. Nga ana tjetër ne do të përdorim të ardhurat nga privatizimet sipas formulës të miratuar në ligjin për buxhetin. Kjo do të thotë që për neto investimet publike në raport me atë që është miratuar në fillim të vitit do të rriten me 14.5 miliardë lekë, nga vlerësimet e deritanishme”. Një ndryshim tjetër i buxhetit është edhe rritja e fondeve të sigurisë, apo kontingjencës. Sipas Shehut, ky veprim bëhet, pasi edhe me rishikimin e të ardhurave, duke i ulur ato me rreth 8 miliardë lekë, sërish frika e prekjes nga kriza është e madhe. “Njëkohësisht, duke e vlerësuar krizën si prezente në ekonomi ne do të krijojmë të paktën 3 miliardë lekë kontingjencë të re. do ta shtojmë në buxhet për ndonjë mosrealizim jashtë parametrave që kemi vlerësuar deri tani”. Në fakt, fondi i kontingjencës gjatë pjesës së parë të vitit u prek me 40 milionë USD duka ja kaluar këto para ministrisë së transporteve. Por duket se edhe ndarja e fondeve të privatizimeve, nuk po bëhet në mënyrë të drejtë. Qeveria ka miratuar kohë më parë një ndarje tjetër të së ardhurave të privatizimit, ku 20 për qind i shkonin ish-pronarëve dhe ish të përndjekurve. Mesa duket këtë vit, kjo pjesë e parave nuk do të shkojë në këtë destinacion. Në total, fondi i privatizimeve që do të përdoret është 27.7 miliardë lekë ose rreth 300 milionë USD. Këtyre dy shtresave të shoqërisë i takon rreth 60 milionë si fond për dëmshpërblimin dhe kompensimin.
Buxheti i rishikuar i vitit 2009 (në milionë lekë)
Totali i të ardhurave 327.166
Ndihmat 6.313
Të ardhura tatimore 295.981
Nga tatimet dhe doganat 222.668
Tatimi mbi vlerën e shtuar 114.657
Tatimi mbi fitimin 19.436
Akcizat 36.759
Tatimi mbi të ardhurat personale 28.734
Taksa nacionale 15.210
Taksa doganore 7.837
Të ardhurat e pushtetit vendor 18.412
Të ardhura nga Buxh. E pavarura 54.901
Të ardhura jo tatimore 24.822
Totali i shpenzimeve 399.567
Shpenzime korrente 283.221
Personeli 59.546
Interesat 36.740
Të brendshme 31.420
Të huaja 5.320
Shpenzime operative mirëmbajtjeje 34.791
Subvencionet 2.022
Mbështetje për energjinë 0
Shpenzime për Sig Sociale dhe të tjera 95.866
Buxheti lokal 36.853
Shpenzime të tjera 16.821
Fondi rezervë 13.721
Shpenzime kapitale 102.625
Transferta të ndryshme 0
Deficiti 72.451
Financimi i deficitit 72.451
I brendshëm 65.877
Të ardhura nga privatizimi 27.793
Hua-marrje e brendshme 38.084
Të tjera 0
I huaj 6.574
Hua afatgjatë e marrë 13.244
Ndryshimi i gjendjes së arkës 0
Ripagesat 6.670