Rindërtohet skema e ngjarjes,u përdorën 5 armë të ndryshme
Etleva Delia
Pas dhjetëra variantesh se si mund të ketë ndodhur masakra e 7 gushtit në Durrës, ku Dritan Dajti vrau katër policë, ekspertët e Kriminalistikës kanë rindërtuar edhe një herë ngjarjen. Me anë të ekzaminimit të rrobave që kishin veshur oficerët e vrarë dhe krahasimit të tyre me raportin mjeko- ligjor, ekspertët kanë arritur në përfundimin se Fatos Xhani është vrarë me dy plumba, ndërsa tre të tjerët me nga një plumb. Edhe pse goditja me plumbin e parë të dalë nga pistoleta e Dritan Dajtit, nga ana e djathtë, ka qenë vdekjeprurëse për Xhanin, për t’u siguruar se e kishte vrarë, ai e ka qëlluar edhe një herë. Plumbin e parë Fatos Xhani e ka marrë në pjesën e qafës nga brenda makinës, ndërsa plumbin tjetër në shpatull dhe pistoleta ka qenë e ngjitur me shpatullën e tij. Altin Dizdari është qëlluar nga ana e majtë e makinës, po nga Dritan Dajti dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga një plumb në zemër. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave, më pas kanë zbritur nga makina të paarmatosur, Elvis Xhoxhi dhe Ledion Mara. Duke mos kuptuar asgjë për vrasjen e dy kolegëve të tyre, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari janë vënë në ndjekje të Xhoxhit dhe Marës, madje Feskaj ka arritur të ndalojë njërin prej tyre. Ky ka qenë momenti fatal edhe për dy oficerët e tjetër. Dritan Dajti, duke tentuar të largohet në këmbë nga vendi i ngjarjes, pasi kishte vrarë dy policë, ka parë që njëri nga oficerët ishte gati duke prangosur Ledion Marës. Në moment, ai ka qëlluar Kastriot Feskajn nga mbrapa dhe plumbi e ka kapur në pjesën e pasme të kokës, pranë qafës. Për të qenë i sigurt që e ka vrarë, Dajti ka qëlluar edhe një herë në drejtim të tij, por plumbi tjetër ka kapur Ledion Marës. Ky i fundit ka qenë i përkulur dhe duke tentuar t’i kapte armën Saimir Duçkollarit, për ta penguar që të qëllonte në drejtim të Dajtit. Mara ka mbetur i vdekur në vend nga një plumb që e ka kapur tangjent në shtyllën kurrizore dhe i ka dalë në afërsi të zemrës. Goditja e fundit e Dajtit, para se të plagosej me tre plumba nga 2 oficerët e tjerë që merrnin pjesë në aksion, ka qenë për Saimir Duçkollarin, i cili gjithashtu është qëlluar nga pas dhe plumbi e ka goditur në shpatullën e majtë, duke i dalë në zemër. Në këtë moment, sipas ekspertëve të kriminalistikës, Dajti ka mbetur i plagosur dhe është arrestuar, bashkë me kunatin e tij Elvis Xhoxhi. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se në operacionin për kapjen e Dritan Dajtit kanë marrë pjesë 6 oficerë policie dhe vetëm dy prej tyre arritën të mbijetonin nga plumbat e Dritan Dajtit. Sipas ekspertëve që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë parë ekzaminimin e provave të gjetur aty, rezulton se gjatë përleshjes së 7 gushtit është qëlluar me 5 armë të ndryshme. Ledion Mara dhe Elvis Xhoxhi kanë qenë të paarmatosur. Gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes i përkasin dy pistoletave të Dajtit, “HS 2000” dhe revolverit me mulli, dy pistoletave “Bereta”, të dy oficerëve që kanë plagosur Dajtin, si dhe janë gjetur edhe 5 gëzhoja të tjera të një pistolete me kalibër 9 milimetër dhe gjatësi gëzhoje 18 milimetër, e përafërt me atë të Dritan Dajtit.
Ndërkombëtarët, mesazhe ngushëlluese Prençit
Humbja e jetës në krye të detyrës të 4 oficerëve të Policisë së Shtetit ka tërhequr vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë të policisë shqiptare. Janë me dhjetëra mesazhe ngushëllimi që i kanë ardhur Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, nga homologë të shteteve të ndryshme, të cilët veç ngushëllimeve për humbjen e 4 policëve në masakrën e 7 gushtit, i ofrojnë policisë edhe mbështetjen e tyre në luftën kundër krimit të organizuar. Ndër mesazhet që i janë drejtuar Prençit, veçojmë atë të Jhon Withers, i cili shprehet se, ne ju përcjellim ngushëllimet tona të thella për familjet e tyre, për humbjen e tyre. Gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Roland Noble, i ka dërguar një mesazh Ahmet Prençit, duke iu lutur që t’i përcjellë ngushëllimet e tij edhe familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës. Morisë së mesazheve ngushëlluese nuk i ka munguar edhe ai i shefit të misionit të OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, i Drejtoreshës së Zyrës Ndërlidhëse policore italiane e Interforcës në Shqipëri, Anna Poggi, si dhe nga i dërguari me punë i Ambasadës së Zvicrës, John Ruhoff.
Babai i Dajtit: Nuk e kam takuar djalin
TIRANE – Familjarët nuk kanë mundur të takojnë në qeli Dritan Dajtin, të akuzuarin si autor i masakrës së pesë ditëve më parë në plazhin e Durrësit. Babai i tij pohoi ditën e djeshme se askush prej familjarëve nuk arriti ta takonte 38-vjeçarin që mbahet i paraburgosur në Spitalin e Burgjeve, ku edhe po kurohet si pasojë e tre plagëve që mori gjatë operacionit të arrestimit të tij, mesditën e së premtes së kaluar. Ende nuk dihet nëse kanë mbërritur apo jo te Dajti ushqimet dhe veshmbathjet e dërguara nga familjarët në Spitalin e Burgjeve. Familjarët u treguan të rezervuar, për sa i përket informacioneve në lidhje me djalin e burgosur, për gjendjen e tij shëndetësore dhe nëse janë marrë në pyetje apo jo nga grupi hetimor. Ndërsa Ylber Vata, Drejtori i Spitalit të Burgjeve, pohoi dje për mediat se gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit është stabilizuar dhe mbahet nën kontroll nga stafi mjekësor. “Gjendja e Dritan Dajtit është nën kontroll, ai trajtohet me ndihmën e nevojshme dhe shëndeti i tij është stabilizuar”, mësohet se ka pohuar Vata. Më tej, ai dha të dhëna mbi plagët e Dajtit dhe kurimin e tij. Sipas kreut të spitalit të burgjeve, Dajti ka marrë tre plagë plumbash në trupin e tij. fa.ma.
Vdekja e policëve,ekzaminohen plumbat
TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda dërgon për ekspertim plumbat që kanë goditur për vdekje dy prej katër policëve, të vrarë pesë ditë më parë në Durrës gjatë arrestimit të të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se bëhet fjalë për dy plumbat, prej së cilëve kanë gjetur vdekjen policët Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkallari. Plumbat janë dërguar dje në Laboratorin e Kriminalistikës në kryeqytet për t’iu nënshtruar analizës që do të nxjerrë armën nga e cila janë shkrehur. Aktet e ekspertimit të tyre priten të dalin në ditët në vijim. Po sipas burimeve të sipërcituara, ekspertimi i plumbave pritet të provojë se ato kanë dalë nga arma që mbante në duar Dritan Dajti. Plumbat të cilët do të ekspertohen janë gjetur në tokë pranë trupave të pajetë të dy policëve Feskaj dhe Duçkallari. Për faktimin e armës nga është kryer qitja, do të analizohet gjithashtu edhe drejtimi nga kanë ardhur plumbat. Katër efektivë të policisë dhe një civil, Ledion Mara, nipi i Dajtit, u vranë gjatë përballjes me armë zjarri mes tyre dhe personit në kërkim Dritan Dajti. Shkëmbimi i zjarrit ndodhi teksa punonjësit e policisë po tentonin të arrestonin Dajtin. a.b
Masakra e Durrësit, Uidhers ngushëllon Berishën e Nishanit
TIRANE – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers u ka dërguar dje mesazhe ngushëllimi Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm Bujar Nishani për humbjen e jetës në detyrë të 4 oficerëve të Policisë së Shtetit. Në mesazhin e tij, për Kryeministrin Berisha ambasadori Withers shprehet: “I dashur zoti Kryeministër! Me keqardhje të madhe mësuam për ngjarjen tragjike të së premtes në Durrës dhe rënien në krye të detyrës dhe në shërbim të vendit të tyre e oficerëve të Policisë Fatos Xhani, Saimir Duçkallari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari. Kolegët e mi dhe unë ju shprehim ngushëllimet më të thella Juve dhe familjeve të këtyre katër oficerëve trima, të cilët gjatë karrierës së tyre mbrojtën trimërisht popullin shqiptar. Sinqerisht, John L. Withers, II”. Ndërsa në mesazhin ngushëllues për ministrin Nishani, ambasadori Withers pohon se: “Mësuam me shumë keqardhje vdekjen në krye të detyrës të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Saimir Duçkallari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari. Vdekja e këtyre oficerëve të devotshëm të policisë, gjatë kohës që ata kryenin detyrën e tyre, dëshmon dhe një herë për sfidat e mëdha dhe punën e rrezikshme me të cilën përballen zbatuesit e ligjit. Unë dhe kolegët e mi ju përcjellim ngushëllime të thella juve dhe të gjithë nëpunësve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit Shqiptar. Në këtë moment dhimbjeje, lutem përcillni ngushëllimet tona më të thella tek familjet e heronjve të rënë”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Withers. fa.ma.
Qeveria, 5 milionë lekë për familjet e 4 policëve
Qeveria i akordon familjeve të katër policëve të vrarë në Durrës një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh të reja.
Zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave bëri publik dje vendimin e marrë në mbledhjen e kabinetit qeveritar, pak orë pas tragjedisë në qytetin bregdetar. Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, qeveria miratoi fondin, i cili në total është 20 milionë lekë të reja. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për secilën familje, të të ndjerëve Fatos Haqir Xhani, Kastriot Çlirim Feskja, Saimir Islam Duçkollari dhe Altin Idriz Dizdari, ish-punonjës policie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vrarë në krye të detyrës”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në vendim përcaktohet gjithashtu se fondi prej 20 milionë lekësh do të përballohet nga rezervat e buxhetit të shtetit, ndërkohë që Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave janë ngarkuar për zbatimin e tij. Në të njëjtën mbledhje qeverie, u propozua që një ditë pas masakrës të konsiderohej ditë zie kombëtare dhe flamuri të ulej në gjysmë shtizë. Gjatë konferencës për shtyp, mbrëmjen e të premtes së kaluar, dhe në homazhet e zhvilluara në Pallatin e Kongreseve në nder të katër uniformave blu, Kryeministri Berisha dënoi ashpër aktin si dhe premtoi dënim të ashpër për Dritan Dajtin. “Ky krim i shëmtuar, i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e drejtësisë, kam bindjen më të thellë, se nuk do të cenojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit, për t’i dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri më sot. Ai ia doli të këpusë jetët e tyre, por verdikti dhe ligji do të veprojnë ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me ashpërsinë më të madhe”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Katër oficerët e rënë në përpjekje për të arrestuar Dritan Dajtin u shpallën “Dëshmorë të Kombit” dhe u varrosën përmes një ceremonie zyrtare, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, në varrezat e dëshmorëve.