E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ringjallet" Polonia, afat deri të mërkurën

Shqipëria mund të luajë miqësoren me Poloninë, nëse pezullimi ndërkombëtar do të hiqet brenda ditës së mërkurë. Lajmi është bërë i ditur dje nga FSHF-ja, që ka konfirmuar se për "ringjalljen" e pistës polake është informuar edhe trajneri Ari Han. Ky i fundit kishte kërkuar me ngulm një miqësore në muajin maj, për të parë në veprim për herë të parë futbollistët kuqezi, të cilët do t‘i drejtojë në eliminatoret e Botërorit 2010. Tri ditë më parë, Polonia kishte bërë të qartë se nuk do të priste më Shqipërinë, dhe kishte "prenotuar" Bosnjë-Hercegovinën për ndeshjen e datës 27 maj në Gjermani. Lajmi u konfirmua edhe në faqen e internetit të UEFA-s, duke e lënë Shqipërinë pa një miqësore në muajin maj. Por pas një kontakti mes presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe homologut të tij polak, është vendosur që të pritet deri ditën e mërkurë para se Polonia të bëjë zyrtare përfundimisht Bosnjë-Hercegovinën si kundërshtaren e saj. Polakët kanë bërë të qartë se në rast të lënies në fuqi të pezullimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare deri ditën e mërkurë, atëherë nuk do të ngurrojnë për të konfirmuar ndeshjen me boshnjakët. Megjithatë, burime pranë FSHF-së kanë bërë të ditur se me regjistrimin e statutit të FSHF-së dje në gjykatë, pezullimi i Shqipërisë pritet të jetë hequr para ditës së mërkurë dhe kuqezinjtë mund të organizojnë dhe zhvillojnë qetësisht miqësore me kombëtare të tjera. Për shkak të një bindjeje të tillë, zyrtarët e FSHF-së kanë filluar punën për të përcaktuar vendin dhe orarin e ndeshjes me Poloninë më 27 maj, ndërsa po marrin në konsideratë idenë e zhvillimit të një miqësoreje tjetër gjatë ditëve të grumbullimit në Poloni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›