E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria emëron Ervin Kuman: Duam të shkojmë në Botëror

Ervin Kuman do të jetë trajneri i Hungarisë duke filluar që nga data 1 maj. Lajmi u bë zyrtar dje nga Federata Hungareze, e cila konfirmoi emërimin e holandezit, duke plotësuar kështu dëshirën e presidentit të këtij institucioni, Istvan Kisteleki, i cili kërkonte prej kohësh një trajner të huaj. Kontrata e Ervin Kuman do të zgjasë deri në tetorin e vitit 2009, kur përfundojnë edhe eliminatoret e Botërorit, në të cilat trajneri holandez shpreson të kualifikohet. "Për mua është një sfidë e rëndësishme që të marr drejtimin e kombëtares hungareze, e cila ka lojtarë shumë të talentuar. Objektivi për kombëtaren është pjesëmarrja në Botërorin 2010, edhe pse di mirë që kjo do të jetë një punë shumë e vështirë", u shpreh trajneri para mediave.

Hungaria është në grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit, përkrah Shqipërisë, Portugalisë, Suedisë, Danimarkës dhe Maltës. Mendohej që skuadra hungareze do të ishte pretendente për vendin e katërt, duke pasur si rivale Shqipërinë për këtë pozicion, por me emërimin e Ervin Kuman si trajner të saj, ajo mendohet t‘u krijojë shumë probleme edhe ekipeve pretendente të grupit. Për më tepër, mediat holandeze e kanë cilësuar interesante përplasjen me bashkëkombësin e tij, Ari Han, që drejton kuqezinjtë. Por ndryshe nga FSHF-ja, Federata Hungareze ka bërë të qartë që tani objektivat që duhet të plotësojë Kuman dhe kushtet për t‘i ofruar atij një rinovim në përfundim të kontratës aktuale. Presidenti Kisteleki tha se federata do të merrte në konsideratë rinovimin e kontratës së trajnerit holandez vetëm nëse kombëtarja do të përfundonte në tri vendet e para në grupin kualifikues, në të kundërt do të cilësohej si dështim.

Ndërkohë, dukej se Kuman i kishte idetë e qarta rreth lojtarëve që do të aktivizonte, duke u shprehur se nuk do të eksperimentonte me lojtarë pa përvojë. "Do të dëshiroja t‘i jepja hapësira lojtarëve të rinj, nëse ata janë të mirë dhe e meritojnë, ata duhet të provojnë se kanë mentalitetin dhe cilësinë e duhur për ta merituar këtë shans", u shpreh 46-vjeçari.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›