E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ringjallja e opozitës

Mitingu i 20 nëntorit provoi disa gjëra njëherësh. Së pari dhe më kryesorja, që qeveria "BM" nuk e ka të gjatë, të lehtë dhe të qetë. Së dyti, që gjithë ai opinion politik dhe mediatik, shpesh tallës, fyes dhe injorues i ngritur qysh pas 28 qershorit, s‘ka asgjë të përbashkët me shqiptarët e përditshëm. Së treti, që është po kaq kryesore sa e para, çdo lider do ta kishte zili një miting të tillë, aq më tepër një lider i opozitës. Por kur vjen fjala për Edi Ramën, i ringritur si nga varri i një humbjeje jo vetëm të pamerituar, por të gatuar në mënyrë të atillë sa do ta bënte shumë të vështirë një ringjallje të këtyre përmasave, 20 nëntori provoi se qytetaria i ka dhënë tashmë votën dhe të drejtën. Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për rezistencën e tij personale dhe gati të vetme në një betejë gati me të gjithë, Edi Rama sot meriton jo vetëm kreditet e një shembulli inspirues, jo vetëm për ata që duan të ringrihen, por meriton dhe gjithë kujdesin e duhur për gjithë ata që parashikojnë fatet politike në Shqipëri. Ka ardhur koha të mendohen dy herë para se të ngrenë hipoteza që rrëzohen pa u mbushur ende as 6 muaj.

Ky Woodstock shqiptar i rezistencës për demokraci është një moment kthese në historinë politike shqiptare post komunizëm.

E pra, shqiptarët janë të pakënaqur me qeverisjen e tyre, janë të zemëruar me jetën e tyre të varfër, janë të revoltuar me shurdhmemecërinë e pushtetit, deri në atë shkallë sa në një ditë fundnëntori nuk ngurruan të stërmbushin bulevardin kryesor të Tiranës. Dhe nuk është as prag zgjedhjesh, as post fitore, as humbje parash në piramida, as post vrasje politike. Raste këto që deri më sot kanë mbledhur aq masivisht shqiptarët në të njëjtin shesh. Është thjesht përfundimi i një turi post zgjedhor për të kërkuar hapjen e kutive. Atij turi që u pa me shumë skepticizëm dhe me mosbesim nga faktorët kryesorë politikë dhe shoqërorë në vend, por që në fundin e tij tregoi se jo vetëm ia ka vlejtur, por se kemi arritur në një pikë të atillë të ndërgjegjes kolektive, që: PO, mund të protestohet si rrallë ndonjëherë edhe për një shkak që gjithnjë e anashkalojmë, vjedhjen e votës. Shkak që merret i mirëqenë në këtë demokracinë tonë dhe që na bën aq pis të gjithëve. Ky tubim ishte një kambanë e fortë në derën e Kryeministrit, për t‘i treguar atij zemërimin masiv jo vetëm për atë vend të pamerituar që mban, por edhe për performancën e tij të shëmtuar në krye të qeverisë. Ishte një thirrje për Kalimashin e pompuar me bujë si patriotik, por që po shembet ende pa u nisur dhe që po rezulton një mashtrim tjetër piramidal. Ishte një klithmë për zyrtarë të korruptuar që arrestohen ditën me diell, por që askush nuk mban përgjegjësi dhe që nën zë thuhet vetëm se u prishën pazaret diku, dikur, dikujt në qeveri. Ishte një protestë për Shqipërinë, si më të korruptuarën në botë dhe për kalin e korrupsionit qeveritar, që as bishti s‘i ka mbetur. Në një hark kaq të shkurtër kohor, kanë ndodhur mjaft për të grumbulluar një revoltë të atij lloji, por që nuk është në stilin e politikanëve shqiptarë të kanalizojnë dhe testojnë një krater të tillë. Kjo tashmë ka ndodhur duke pasuruar demokracinë dhe duke treguar se ajo çfarë thuhet nëpër tavolina pazaresh politike është kaq larg të përditshmes së qytetarëve. Shumëkush që sheh me një sy të ftohtë pse në Shqipëri shumë zullum ndodh, por asgjë nuk lëviz, ia vë fajin shoqërisë sonë inerte. Por sot edhe ky problem është i kapërcyer nga vetë shoqëria, ajo e përditshmja që ndeshet direkt me pasojat e zullumit pushtetar. E si gjithmonë, siç ngatërrohet radha e gjërave në Shqipëri, kur flitej për protestën e Tiranës, para se të pyetej e debatohej se si do shkonte e pse po bëhej, vinte më shpejt pyetja: Po të hënën çdo bëhet? E hëna gdhin me një panoramë politike krejt tjetër, ku opozita e ringjallur dhe e mbështetur masivisht është në të drejtën e saj ta çojë luftën deri në fund. Për këtë luftë ka dhe një shembull të një vendi fqinj, anëtar i BE-së, Greqisë, që sapo na ka treguar se nuk e ka për gjë të protestojë dhe mos të reshtë deri në zgjedhje të parakohshme. Frika dhe kompleksi që kemi ne nga të ashtuquajturat trazira dhe që i atribuohen kryekëput mënyrës si e ka trazuar këtë vend ish-opozitari Sali Berisha, duhet kapërcyer njëherë e mirë. Sepse sot jemi pa diskutim një shoqëri më e pjekur, por dhe se ish-opozitari i tmerrshëm është shndërruar në një karagjoz që bën sehir i majmur sa s‘ka nga djersa e shqiptarëve, pronat dhe sakrificat e tyre. Frika për zgjedhje të parakohshme është një frikë që u përket vetëm frikacakëve dhe atyre që nuk e kanë të plotë në kokë konceptin e demokracisë. Çdo përrallë me Gjykatë Kushtetuese në mes, me dialog dhe bashkëpunim, me rregulla loje me një njeri që prish rregullin e fundit dhe më kryesorin, është përrallë nga e kaluara. Në momentin që Berisha nuk hap kutitë, ai automatikisht është një vjedhës i votës së shqiptarëve dhe sado që kjo nuk na habit aspak, sot është një lajm i konfirmuar nga ai vetë. Mitingu i 20 nëntorit e ka nxjerrë jashtë loje Berishën si menaxhues të zgjedhjeve të ardhshme, që pak a shumë do të nxjerrë në pah nevojën e një qeverie teknike apo të shpëtimit të kombit. Kur mbi 100 mijë shqiptarë dalin në shesh një të premte nëntori, vetëm pesë muaj pas zgjedhjeve, e pra... kombi është në rrezik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›