E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinia e Evropianit

Euro 2012 po troket, e me të edhe futbollistë të rinj të uritur për t’u dëshmuar në nivelin më të lartë ndërkombëtar, pas depërtimit me skuadrat e tyre përkatëse në edicionin e sapo përfunduar. Mario Gotze, Yann M’Villa, Alex Oxlade-Chamberlain e Alan Dzagoev përfaqësojnë shembujt më të mirë të lojtarëve të rinj dhe perspektivë në Poloni e Ukrainë.

Euro 2012 po afrohet gjithnjë e më tepër, kurse ka filluar të flitet për “futbollistët që do të dalin në skenë” gjatë garës së sivjetme në Poloni dhe Ukrainë. Përqendrimi shkon te futbollistët e rinj, të cilët mund të shndërrohen në të mëdhenj në rast se paraqiten me sukses në Evropian.

Gjatë sezonit të sapo përfunduar kanë depërtuar disa lojtarë, të cilët janë shpërblyer me inkuadrim në kombëtaret përkatëse, kurse tani para vetes kanë një detyrë të re, të dëshmohen edhe në nivelin ndërkombëtar. ‘Yjet e rinj’ kanë filluar të dalin në skenë, kurse i pari shembull është dëshira e menaxherit të Arsenalit, Arsene Wenger (dhe jo vetëm e tij), mesfushori i Rennesit, Yann M’Villa, 21 vjeç, i cili ka shkëlqyer në pozitën e tij gjatë këtij viti.

Mendja shkon edhe te sensacioni i ri gjerman Mario Gotze, i cili pavarësisht moshës 19 vjeçare, ka filluar të konsiderohet si “i rritur”. Ai ka dëshmuar kualitetet e tij, kurse në Euro 2012 do të synojë t’i përvetësojë ato. Radha është të përmendin një tjetër të ri që ka dalë në skenë gjatë këtij sezoni: rusi Alan Dzagoev është titullar i pazëvendësueshëm i CSKA Moskës, është vetëm 21 vjeç, luajti një edicion të plotë në nivel të lartë dhe pa dyshim se ka ende çka për të treguar.

Në mesin e atyre që shpërthyen në vitin e fundit është edhe mesfushori ofanziv i Arsenalit, Alex Oxlade-Chamberlain. I riu 18 vjeç me paraqitjet e tij në sezonin e sivjetmë mahniti tifozët e Arsenalit dhe heshti të gjithë skeptikët që kritikuan Wengerin, kur pagoi 12 milionë funte për transferimin e tij nga Southampton në verën e vitit të kaluar.

Në mesin e të lartpërmendurve do të bie një “barrë e madhe”, pasi duhet të dëshmojnë potencialin e tyre para kontinentit evropian, por edhe mbarë botës pasi Euro 2012 do të zgjojë vëmendjen e të gjithë adhuruesve të lojës së bukur. Por, ata brenda vetes do të kenë këto dilema ? A do të arrijnë të dëshmojnë vlerat e tyre? A do të kenë minutazhin e nevojshëm?

Sido që të jetë, thonë se fusha është dëshmia më e mirë dhe duhet të presim fillimin e garës më 8 qershor për t’i përcjellë këta talente të futbollit, të uritur për të treguar se janë të gatshëm të luajnë në nivelin më të lartë ndërkombëtar, pas konfirmimit të statusit të tyre në klubet përkatëse.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›