E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’pat kurdisje

Federata e Futbollit të enjten i përfundoi hetimet mbi tri ndeshjet e Superligës, të cilat dyshoheshin se ishin të kurdisura. Për shtëpinë e futbollit kosovar, ato duele kishin rrjedhë normale, pasi nuk ka gjetur prova rreth dyshimeve për kurdisje. Mirëpo, tri xhirot e fundit të kampionatit do të vëzhgohen edhe nga organet shtetërore të hetuesisë.

Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) i kanë mjaftuar tri-katër ditë për t’i hetuar në tërësi tri ndeshjet e xhiros së 30-të të Superligës: Hysi – Prishtina (2:3), KEK-u – Lepenci (5:6) dhe Gjilani – Trepça (0:4), mbi të cilat kishin lindur dyshime të mëdha të kenë qenë të kurdisura.

Komisioni i themeluar nga FFK-ja ekskluzivisht për t’i hetuar ato duele, pas hetimeve të bëra, ka konstatuar se ndeshjet e lartpërmendura nuk ishin të kurdisura.

“Të enjten është mbledhur komisioni i themeluar nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për hetimin e ndeshjeve një për një, si të dyshuara për kurdisje dhe pas analizimit të materialit, protokolleve të ndeshjeve, deklaratave të të gjithë akterëve (gjyqtarë, vëzhgues, trajnerë e përfaqësues të klubeve, incizimeve televizive) nuk gjeti prova për kurdisje”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga shtëpia e futbollit kosovar.

Megjithatë, ky komision rastin e ka përcjellë edhe në prokurori në mënyrë që edhe kjo e fundit ta vërtetojë nëse ato ndeshje ishin apo jo të kurdisura. Megjithatë, FFK-ja u ka bërë thirrje të gjithëve se nëse dikush posedon fakte që ndonjë ndeshje kampionale të kish qenë e kurdisur, t’i deponojë ato në zyrat e saj për t’i ndëshkuar akterët.

Në njoftim thuhet se në ndeshjet e tri xhirove të fundit të garave të Superligës do të ketë super-vëzhgues të dërguar nga FFK-ja, e po ashtu duelet do të përcillen edhe nga organet e hetuesisë dhe prokurorisë së shtetit, me qëllim që të parandalohet çdo tentativë e mundshme për kurdisje të rezultateve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›