Kosova, ende larg UEFA-s e FIFA-s

Edhe pse FIFA vendosi që ta lejojë përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, anëtarësimi i plotë i vendit tonë në UEFA e FIFA nuk pritet të ndodhë shpejt.
Përderisa Kosova nuk anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), thuajse nuk ka kurrfarë gjasash që UEFA t’ia hapë dyert e saj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Madje, një gjë të tillë pothuajse e paralajmëroi këto ditë vetë UEFA, duke e kundërshtuar fuqishëm vendimin e FIFA-s për Kosovën dhe duke e ndihmuar kështu edhe kundërshtimin e ‘egër’ të Serbisë.
“Pos kësaj, janë dy opsione kryesore nëpërmjet të cilave Kosova mund të anëtarësohet fillimisht në UEFA e pastaj në FIFA. UEFA nuk i shkel dispozitat ligjore të saj. Statuti i UEFA-s përcakton qartë se Kosova fillimisht duhet të njihet nga OKB-ja, e më pas mund të anëtarësohet në këtë organizatë”, deklaroi për Express juristi Haki Demolli, ish nënkryetar i FFK-së.
“Opsioni tjetër është që nëse Serbia pajtohet që Kosova të anëtarësohet në UEFA, kjo e fundit vendin tonë e pranon pa problem. Por, logjikisht kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sepse dihet qasja serbe karshi Kosovës. Kështu që duhet ta presim anëtarësimin në OKB për t’u anëtarësuar fillimisht në UEFA, e pastaj automatikisht pranohemi në FIFA”, u shpreh deputeti i Parlamentit të Kosovës.
Edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, e pranon se para anëtarësimit të Kosovës në OKB, vështirë se UEFA do t’ia hapë dyert futbollit kosovar. Por, ai theksoi se FFK-ja po përpiqet ta thyejë izolimin sa më shumë që është e mundur, derisa vendi ynë të njihet nga Kombet e Bashkuara.
“Ne e dimë këtë. Por, si FFK deri më tani i kemi thyer dy bllokada të forta: atë të transferimit në mënyrë legale të futbollistëve tanë dhe organizimin e miqësoreve për përfaqësuesen tonë. Deri në pranimin tonë në OKB, ne do të mundohemi ta nxjerrim maksimumin e mundur nga UEFA e FIFA, sepse kur hyjmë në OKB s’mund të na ndalë askush”, u shpreh Salihu.