E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinia nuk sheh perspektivë në Maqedoni

Nga Express më 04 prill 2011 në ora 21:40

Afro gjysma e rinisë shkollore konsideron se nuk kanë perspektivë në Maqedoni. Ky ishte konkludimi i tribunës së organizuar nga Forumi Shkollor Rinor me temë: “Ju lutemi për pak vëmendje”.

Kjo tribunë u mbajt në hapësirat e Këndit Amerikan në Strugë, me ç’rast edhe u prezantuan të dhënat nga hulumtimi anketues i nxënësve të shkollave të mesme.

Edi Qela, koordinatore e “Iniciativës Lokale Rinore” në Strugë, pohoi pwr agjencinë e lajmeve INA se, në këtë hulumtim janë përfshirë rreth 3.607 nxënës, në 13 shkolla të mesme në Maqedoni.

Rezultatet e publikuara janë tejet shqetësuese.

“Rreth gjysma e të anketuarve (45.5%) të nxënësve të shkollave të mesme, nuk e shohin veten në Maqedoni në dhjetëvjetëshin e ardhshëm. Poashtu, edhe 15.9% të tjerë, vlerësojnë se nuk do të jetojnë në vendlindjet e tyre, ndërsa 38.3% konsiderojnë se do të mbeten në vendlindje”-theksoi Edi Qela, koordinatore për Strugën.

Hulumtimi gjithashtu bënë të ditur se, nxënësit e shkollave të mesme janë skeptikë se mund të ndikojnë që të zgjidhen problemet në nivele lokale.

Mbi dy të tretat e nxënësve të shkollave të mesme vlerësojnë se assesi nuk mund të ndikojnë që të ndryshojnë diçka në qytetin e tyre.

Zhvillimi i dobët ekonomik dhe mungesa e vendeve të punës, është një ndër problemet më të theksuara për nxënësit e shkollave të mesme, ndaj nuk shohin perspektivë në Maqedoni”,

Ky hulumtim është zhvilluar me moton “Kapitullim, konfuzion ose rezistencë”.

Një pjesë e vërejtjeve dhe mesazheve të rinisë shkollore, janë adresuar në adresë të pushtetit vendor, duke theksuar që një nga prioritetet duhet të jenë rinia shkollore, me të cilët duhet pas komunikim të vazhdueshëm, të ndahen mjete buxhetore për aktivitete konkrete rinore dhe të afirmohen organizatat rinore, ndërsa institucionet arsimore-shkollat, që janë kreatore të kurrikulave arsimore të ofrojnë përmbajtje përkatëse, njohuri dhe shkathtësi.

Ndërkaq, në adresë të pushtetit qendror-Qeverisë, apelohet që të mbështetet rrjeti rinor, të nxisin dhe inkurajojnë shoqërimin e rinisë shkollore, ndërsa Agjencia për rini dhe sport të sigurojë planë të rregullta vjetore për Strategjinë nacionale, që do të përmirësojë në masë të madhe gjendjen me rininë shkollore.

Prezantimi i hulumtimit të zhvilluar në 13 shkolla të mesme të Maqedonisë, do të bëhet edhe nëpër qytetet tjera në mbarë Maqedoninë. /INA/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›