10 për qind e popullsisë botërore janë obezë

Duke u bazuar në një studim amerikano-britanik, revista mjekësore “The Lancet” ka publikuar të dhëna ku shihet se 10 për qind e popullsisë totale të rritur në botë është obeze.
Nga studimi vihet re se kolesteroli dhe hipertensioni kanë rënë në vendet e zhvilluara si pasojë e rritjes së efikasitetit të mjekimeve, përqindja e njerëzve obezë është rritur shumë shpejtë në shkallë globale.
Universiteti Mbretëror i Londrës dhe Harvardi studiuan së bashku indeksin e masës trupore, nivelet e kolesterolit dhe të hipertensionit, nga viti 1980 deri në 2008.
Në vitin 2008, 9.8 për qind e meshkujve dhe 13.8 për qind e femrave në të gjithë planetin janë obezë, pra kanë një indeks të masës trupore më të madh se 30 kg/m katror. Kjo shifër tregon se në 30 vjet fenomeni është dyfishuar, pasi në vitin 1980, vetëm 4.8 për qind e meshkujve dhe 7.9 për qind e femrave ishin obezë.
Ndërkohë, numri i personave mbipeshë është shumë më i lartë. Indeksi i masës trupore gjendet duke matur peshën dhe gjatësinë e një njeri. Shifrat 18.5-25 konsiderohen si të shëndetshme, 25-30 mbipeshë dhe mbi 30 obezë.