Thellohen mosmarrëveshjet OSBE-Hungari
Edhe pse qeveria nacional-konservatore hungareze i pranoi në fillim të marsit kërkesat e BE-së për ndryshimet në ligjin e medieve, problemi nuk është zgjidhur.
Tani është OSBE-ja që kërkon ndryshime.
Parlamenti hungarez miratoi në fillim të marsit modifikimet e ligjit për mediat dhe një kushtetutë për mediat. Këto modifikime u bënë pas kritikave ndaj këtij ligji brenda dhe jashtë vendit.
Ndryshimet i kërkoi Komisioni i BE-së. Megjithëse ndryshimet u bënë, kryeministri i Hungarisë, Victor Orban, ngul këmbë se ato nuk u bënë me dashje, por prej trysnisë së BE-së.
Sekretari i shtetit për mediat Zoltan Kovacs shpreson se tani nuk do të ketë më mosmarrëveshje për shkeljen e normave të BE-së: "Teksti përfundimtar është përpiluar në mënyrë të tillë që shmang të gjitha problemet për të cilat kishte në janar rezerva Komisioni i BE-së."
Por OSBE-ja mendon ndryshe.
Sipas saj ndryshimet dhe korrigjimet e ligjit për mediat nuk mjaftojnë për të garantuar lirinë e shtypit.
OSBE-ja kërkon ndryshime të mëtejshme për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe kërcënon për herë të parë në historinë e saj me masa kundër një vendi anëtar të BE-së.
Sipas OSBE-së, ligji mund të vazhdojë të përdoret për të shtypur mendimet dhe qëndrimet që nuk i pëlqejnë qeverisë.