E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinia përballë krizës

Ilir Dika-Sinanaj

Jetojmë në një kohë shumë interesante. Teknologjia dhe industria kanë arritur nivele zhvillimi marramendëse. Kjo ka bërë që njerëzit të krijojnë lidhje, qoftë njerëzore, qoftë tregtare në mbarë globin kudo që ndodhen. E gjithë përpjekja njerëzore në shekuj me radhë ka pasur dhe ka për qëllim të përmirësojë jetesën duke bërë të mundur përmbushjen e nevojave themelore të jetesës në mënyrë që secili prej nesh të mund të punojë për të arritur lumturinë. Megjithatë, siç ka ndodhur përherë gjatë historisë së njerëzimit, ka gjithmonë vështirësi të cilave u duhet gjetur zgjidhja. Në ditët e sotme dëgjojmë shpesh për një krizë ekonomike, e cila po shkreton mbarë botën si një kuçedër legjendash. Kjo krizë është thjesht një sprovë, të cilën me kohë dhe durim ne do ta mposhtim. Efektet e kësaj krize duket se kanë përfshirë tashmë edhe Shqipërinë. Por mbase ka shumë të ngjarë që këto mund të jenë thjesht pasojat e keqqeverisjes së disa politikanëve të paaftë për afro dy dekada.

Të rinjtë, të dëshpëruar në kulm nga këto rrethana të hidhura, u drejtohen veseve të ndryshme për ti harruar ato. Nuk ka të ri në Shqipëri që të mos ketë vënë skedina për skuadra futbolli nëpër liga të vendeve, që as ia kanë idenë më të vogël se ku ndodhen. Kjo ndodh me shpresë që të nxjerrin ndonjë fitim të vogël, i cili do të shpenzohet ose nëpër kafene, ose nëpër pika lojërash fati dhe në rastin më të keq në droga të lehta dhe të rënda.

Edhe rruga drejt dijes që ofrojnë gjimnazet dhe universitetet nuk duken se i ngjallin kërshëri rinisë sonë. Gjimnazi është periudha kohore më e rëndësishme e zhvillimit të një të riu. Niveli i dobët i programit mësimor, i çiftëzuar me një mungesë përgatitjeje nga ana e pedagogëve, ka bërë që të rinjtë ti lënë bankat e shkollës dhe të zdërhallen nëpër kafene të ndryshme. Në gjimnazet tona quhet heroizëm numri sa më i madh i mungesave. Në universitete gjithashtu ka një klimë moskokëçarjeje qoftë nga studentët, qoftë nga pedagogët. Studentët regjistrohen nëpër fakultete me ndjenjën që studimet nuk do të vlejnë për të gjetur punë. Ata thjesht shtyhen nga familjet e tyre për të vazhduar studimet e larta. Pedagogët, nga ana tjetër, të demoralizuar nga institucionet shtetëror të arsimit që u zënë frymën me dekrete të përpiluar nga të paaftë.

Për të mos u mjaftuar me kaq, gjithmonë e më shumë të rinj e gjejnë zgjidhjen e problemeve të tyre tek droga. Me anë të drogës, ata mpakin mprehtësinë e shqisave të tyre për të fluturuar në një botë imagjinare për disa orë, në mënyrë që tu shpëtojnë vështirësive. Sa kënde të oborreve të shkollave në mbarë Shqipërinë janë tashmë pika ku konsumohet hashash? Edhe nëpër rrugicat e lagjeve, të rinjtë marrin dozën e tyre të drogës, duke menduar se ndihen më mirë dhe presin që e mira tu bjerë nga qielli.

Kjo analizë e përciptë piketon disa nga problemet me të cilat përballet sot rinia e kombit tonë. Zgjidhja duket shumë larg nga objektivat e qeverisë, ose më mirë të themi, që nuk do fare tu japë zgjidhje. Unë mendoj se në të vërtetë, rrënja e problemit është mungesa e guximit që të rinjtë kanë për tu përballur me problemet e tyre.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›