Rinis "kinemaja spanjolle"
Të premtet e Kinemasë Spanjolle, të organizuara nga Ambasada e Spanjës dhe Akademia e Kinemasë dhe Multimedias Marubi, do të rinisin në Tiranë më 30 tetor, me projeksionin e filmit "Të vetmuara". Kjo iniciativë e përbashkët, që nisi nga ideja për t'i dhënë publikut shqiptar një përzgjedhje të kinemasë më të mirë spanjolle, i solli kryeqytetit shqiptar tituj të ndryshëm të përmbledhur në cikle tematike që kanë shkuar nga komedia apo kinemaja realiste deri tek seleksioni i retrospektivave të autorëve me peshë në kinemanë spanjolle, si Carlos Saura. Këtë radhë, mbas parantezës verore, do të fillohet me filmin "Të vetmuara", një dramë sociale me të cilën regjisori spanjoll Benito Zambrano pati një debutim të shkëlqyer. Filmin "Të vetmuara" do ta ndjekë, me 6 nëntor, një tjetër debutim kinematografik, ai i Alejandro Amenabar me filmin "Teza", film që shënoi fillimin e karrierës së tij; me 13 nëntor do të jetë "Matahari", prodhimi i fundit i Iciar Bollain, realizuese madrilene me një filmografi të gjerë si aktore dhe regjisore, të cilën publiku shqiptar ka pasur mundësinë ta shohë në filmin "Jugu" i Victor Erice, apo në "Tokë dhe liri", i Ken Loach; dhe më 19 nëntor "14 kilometra", do jetë dokumentari i Gerardo Olivares, që ka në sfond emigracionin.