Plani B - për të rebeluar!
Monumentet e kulturës, bashkë me rëndësinë e tyre historike, po shkatërrohen dita-ditës. Nëse instancat përgjegjëse kanë mbajtur një qëndrim paksa indiferent restaurimi, artistët janë shqetësuar duke sjellë një plan B për t’i mbrojtur; Vizatimi i monumenteve të kulturës në tablo, ashtu të plota, pa mangësitë reale në mungesë të ndërhyrjeve restauruese. Kjo është mënyra se si ka “protestuar” në Tiranë një nga shkrimtarët më në zë të Malit të Zi, Zudvoja Hoxhiq, në ekspozitën e hapur dje në mjediset e Ministrisë së Kulturës
Nuk ka rëndësi nëse është kishë, apo xhami, mund të jetë një shtëpi e vogël, apo jo edhe aq e paraqitshme. Koncepti krijues shkon përtej asaj çka paraqitet brenda kornizave të një tabloje prej karboni. Monumentet e kulturës, bashkë me rëndësinë e tyre historike po shkatërrohen dita-ditës. Nëse instancat përgjegjëse kanë mbajtur një qëndrim paksa indiferent restaurimi, artistët janë shqetësuar duke sjellë një plan B për t’i mbrojtur; Vizatimi i monumenteve të kulturës në tablo, ashtu të plota pa mangësitë reale në mungesë të ndërhyrjeve restauruese. “Jam njeri i kohëve aktuale, e di çfarë është e reja dhe më e mira, por gjithsesi dhe më vjen keq që disa prej objekteve po shkatërrohen. Një mënyrë e mirë për t’u mbrojtur është edhe paraqitja në tablo. Shpresoj që diçka që është e vizatuar është edhe ruajtur, është një iluzion”, - është shprehur shkrimtari Zudvija Hoxhiq. Dje, artisti erdhi nga Mali i Zi, konkretisht nga Gucia prej ku ka lindur dhe në Tiranë ka çelur një ekspozitë në sallën “Ibrahim Kodra”, ambient në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Nëse javën që shkoi për gazetën “standard” ai dha një intervistë për jetën e shkrimtarit dhe filozofinë e shkrimit, tani akademiku Hoxhiq është ndjerë i shqetësuar për gjendjen aktuale të objekteve të kulturës shqiptare, kështu që këtë problem ai ka menduar ta ngrejë nëpërmjet kësaj ekspozite në Tiranë.
“Unë mund t’i vizatoj objektet edhe ndryshe, por gjithnjë kam dashur të paraqes atë që është në dokumente, por edhe artistike. Vizatimet janë punuar në vend ose në bazë të dokumentacioneve të rralla, pra janë arkiv e pasqyrimit të drejtimit të ndaluar, paraqitja e hapësirës pa njeri por me shpirt njerëzor në secilën vizë dhe pasqyrim”, - thotë piktori, duke shtuar se “fatkeqësisht disa monumente kulture me rëndësi të madhe historike janë shkatërruar, apo ka edhe shumë të tjera që janë drejt kësaj rruge”.
Pas hapjes së ekspozitës, akademiku tregon emocionet e para ku shprehet se ndihet i emocionuar që ndodhet në Shqipëri, duke e konsideruar një vend me plot miq dhe të njohur, me të cilët takohet në evenimente të ndryshme në Ballkan apo shpesh herë edhe më gjerë. Në fakt, Hoxhiq nuk i ndahet dot identitetit duke treguar se rrënjët e tij janë shqiptare, pasi gjyshi i tij ishte nga Kosova, ku kohë më parë është zhvendosur në Guci të Malit të Zi. “Nuk kërkoj aspak pretendime këtu, sepse ndihem si në tokën time”, - thotë Hoxhiq. Ai tregon se tablotë e paraqitura janë një zgjedhje personale e tij, për të cilat mendonte se ishin më të përshtatshme për dashamirësit shqiptarë.
Me një vështrim të shpejtë vëren se renditja e tablove nuk njeh dallim feje, pozicionime historike, politike. Mes tyre vizatoheshin kisha, xhami, shtëpi të vjetra, kulla, apo ura lidhëse. Pamje nga Prishtina, Gjakova, Mali i Zi, pikërisht në ato vende ku ka ndeshur interesat e tij jetësore ndër vite. “Për mua janë objekte të kulturës e të civilizimit dhe ashtu si në Shqipëri, edhe në Malin e Zi ka ekzistuar toleranca shqiptare. Kryesore është që ato objekte të jenë të bukura”, - thotë Hoxhiq. I pyetur për lidhjen e pikturës me profesionin e tij si shkrimtar ai shpjegohet se “si shkrimtari, ashtu edhe piktori mendojnë për të njëjtin objektiv, por unë si shkrimtar e piktor jo vetëm e vizatoj atë, por edhe mendoj se si është jetuar aty, çfarë ka ndodhur, e kështu me radhë”. Mes tyre ishin vizatuar shumë shtëpi, për të cilat piktori thotë se ndodhet themeli i jetës dhe i vazhdimësisë së saj. Por ai bën edhe një krahasim me kohët e mëparshme, kur “shtëpitë kanë qenë të vogla me shumë banorë brenda saj, duke krijuar kushte jo shumë të përshtatshme. Ndërkohë, po të bëjmë një krahasim të shpejtë me kushtet e ditëve të sotme, ne kemi shtëpi shumë më të bollshme, e me më pak njerëz. Janë shumë interesante për t’i trajtuar në tablo”. Shkrimtari, piktori, Zuvdija Hoxhiq, ka hapur edhe tetë ekspozita të tjera të pavarura vizatimesh dhe grafikë në vende të tjera. Është botues i shumë librave si “Në konakun e parë”, librin e udhërrëfimit “Një ditë jetë”, romanet “Viti i Gucisë” dhe “Ylli i Davidit”, si dhe libra shënimesh dhe vizatimesh “Nëpër Podgoricën e vjetër” dhe “Zbulimi i vendlindjes”.