E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin punimet për restaurimin e Kullës së Sahatit

Bashkë me fillimin e punimeve për restaurimin e Kullës së Sahatit nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, mësohet se nga ana e Inspektoratit Ndërtimor ka nisur shembja e kioskave pa leje që ndodhen përreth kësaj Kulle.
     
Restaurimi i Kullës së Sahatit do të bëhet vetëm në aspektin monumental, pasi investimet përsa i përket restaurimit janë pjesë e projektit kuvajtian prej 5 milion eurosh, ku përfshihen edhe restaurimi i Kupolës së Xhamisë së Et’hem Beut dhe rivitalizimit të Sheshit “Skënderbej”.
     
Kulla e Sahatit të Tiranës do t’i nënshtrohet një procesi restaurimi të thellë, i cili do të shoqërohet edhe me vendosjen e mekanizmit të orëmatësit dhe fushave të orës, vendosjen e tabelës informuese për monumentin, si edhe vendosjen e pllakës mbishkrimore në ballin e kullës së Sahatit, bën të ditur drejtori i IMK-së, Sulejman Dashi.
     
Kulla 2 shekullore e Sahatit të Tiranës nuk është restauruar asnjëherë që nga koha kur është ndërtuar, madje prej shumë vitesh, edhe orët që ndodhen në katër faqet e saj nuk funksionojnë.   
     
Kulla e Sahatit të Tiranës është ndërtuar në vitin 1822. Ka 90 shkallë në formë spiraleje dhe është 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e Kryeqytetit.
     
Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia, e cila binte për çdo orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit San Marko.
      
Në vitin 1928, Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u zëvendësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake. Ora e sotme është vendosur në vitin 1970. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës.

                                                                                             

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›