E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinis pjesërisht ndërtimi i shtëpive në “Kroin e Vitakut”

Në lagjen e trazuar “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës ka rinisur vetëm pjesërisht ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve, të cilët ishin penguar ditën e enjte nga një grup i serbëve që udhëhiqej nga kryetari paralel i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq. Në këtë lagje kanë thënë, se përkohësisht do të ndërpritet për disa ditë ndërtimi i atyre shtëpive që gjende më ne thellësi të lagjes, për të cilat serbët janë duke kundërshtuar.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, toger Besim Hoti, ka thënë se ndërtimi tani për tani është ndërprerë, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve, shkruan gazeta "Zëri".

“Rindërtimi në këtë lagje ka vazhduar edhe të premtën, por për momentin atje më poshtë do të pritet edhe pak ditë për rinisur punët”, tha toger Hoti, i cili vlerësoi se gjendja në lagjen “Kroi i Vitakut” është e qetë.

Edhe zyrtarët komunalë të Mitrovicë kanë thënë se punimet në thellësi do të ndërpritetn përkohësisht, derisa të sigurohet kushtet dhe në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve.

Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili merrte pjesë në ceremoninë e përurimit të shtëpive të Ali Kadriut dhe vëllait të tij, piktorit Kadri Kadriu, i cili ishte ekzekutuar nga nga paramilitarë serbë në marsin e vitit 1999, u shpreh i kënaqur me gjendjen në këtë lagje dhe punët që vazhdonin në ndërtimin e shtëpive.

“Siç po e shihni, tani janë duke vazhduar punimet, përveç pjesës së sipërme të lagjes. Aty sot nuk punohet, sepse ka mbetur që EULEX-i dhe KFOR-i të organizohen në mënyrë që t’i mbrojnë shqiptarët dhe ato shtëpi, të cilat ndodhen nëpër zonat më të thellla, por me rëndësi është se punët patjetër do të vazhdojnë, me siguri do të ketë probleme të vogëla. Pavarësisht se cilit etnitet i takojnë, ne do të përkujdesemi që të gjithë t’i kthejmë në pronat e tyre”, tha Kastrati.

“Unë dhe qytetarët e Mitrovicës, por edhe të Kosovës, sot kemi një kënaqësi të veçantë, sepse të gjithë kemi pritur me padurim kthimin e këtyre dy familjeve në këto dy shtëpi, respektivisht në këto dy kulla, sepse këto kanë qenë njëherësh pika fillestare e ndërtimi të shtëpive në këtë lagje”, tha kryetari Kastrati, i cili falënderoi Aliun dhe bashkëshorten e tij, të cilët ishin këmbëngulës për t’u kthyer, sepse siç tha Kastrati, “në të kundërten rrjedhat e ndërtimi do të shkonin ndryshe”.

Ndërkaq, Ali Kadriu, duke shpjeguar simbolikën e këtyre dy shtëpive me 80 frengjji, tha se projektin e kishte bërë para 25 vjetëve, vëllai i tij, Kadriu, piktor. Ai i ka ftuar të gjitha ata që kanë shtëpitë e rregulluara që të kthehen, sepse siç tha ai “ky truall është atdheu ynë”.

“Atdheu nuk shitët, edhe ne të gjallët i kemi borxh, për shkak të gjakut të dëshmorëve, heronjëve dhe të rënëve të tjerë për këtë tokë”, tha ai, ndërsa bashkëshortja e tij, Zyrafetja, përkujtoi se pikërisht para 13-vjetëve e 8 muaj, ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, por që tani u kthyen për 100 vjetorin e pavarësisë.

Për ndërtimin e këtyre kullave binjake të vëllezërve Kadriu në lagjen “Kroi i Vitakut”, kanë investuar Qeveria e Kosovës (148 mijë euro) dhe shqiptaro-amerikani Hari Bajraktari (18 mijë euro)./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›