E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saldago: UNMIK-u po vepron konform mandatit

UNMIK-u konsideron se ka legjitimitet juridik për të ndërhyrë në çështjen e ndërtimit të shtëpive në veri të Mitrovicës. Zëdhënësi Oliver Salgado tha se UNMIK-u po vepron konform mandatit që ka. Por Qeveria e Kosovës, vazhdon të kundërshtojë dhe argumenton se kompetencat në të cilat thirret UNMIK-u tani i takojnë Zyrës administrative të Kosovës në veri.

UNMIK-u po mbledh taksa dhe po kërkon shërbime në veri të Mitrovicës ndërsa paratë e mbledhura po ia dërgon Qeverisë së Kosovës, konfirmuan për Radio Kosovën zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal.
UNMIK-u ndërkaq, lidhur me çështjet e ngritura ditët e fundit siç është: ndërhyrja rreth rindërtimit të shtëpive të banorëve shqiptarë të kroi i Vitakut në Mitrovicë thirret në udhëzimin administrativ numër 2007 / 12 i vitit 2007, i cili bazohet në një rregullore të vitit 1999.

Bazuar në këto udhëzime administrative UNMIK-u pretendon se ka mandat ligjor për t’u marr me këtë çështje që ka të bëjë me komunën e Mitrovicës veriore, e cila akoma nuk është themeluar.
Por, Qeveria e vendit po kundërshton duke thënë se këto janë kompetenca të Zyrës administrative të Kosovës në veri.
Sekretari i përhershëm në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal Besnik Osmani ka thënë se asnjë rregullore më nuk i jep mandat UNMIK-ut të administroj në këtë pjesë.

“ Lagjja Kroi i Vitakut është në zonën kadastrale që i takon komunës së Mitrovicës veriore dhe organ i vetëm për të ofruar shërbime dhe marrë vendime është zyra administrative e qeverisë së Kosovës në veri”, ka thënë Osmani. 

Osmani ka thënë se për të vjelur taksa dhe pagesa për shërbime të tjera është kompetente vetëm Zyra Administrative në veri.

“ Në pajtim me ligjin për financat lokale zyra administrative e UNMIK-ut nuk mund t’i mbledh këto financa sepse në bazë të këtij ligji kompetent janë autoritet lokale|”,ka thënë Osmani.

Zëdhënësi i UNMIK-ut Oliver Salgado nuk ka komentuar reagimin e kryeministrit e as kërcënimin e policisë për t’i arrestuar punëtorët serbë të UNMIK-ut që po pengojnë banorët e Kroit të Vitakut për të rindërtuar shtëpitë e tyre.
Ai ka thënë se UNMIK-u ende ka ende disa gjëra për të sqaruar.

“UNMIK-u është i shqetësuar me tensionet ndëretnike. Ky mision ka mandat për të shërbyer si urë lidhëse për pajtim dhe zgjidhje të problemeve midis dy komunave dhe dy palë komuniteteve”, ka thënë Salgado.

Ndonëse mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar, një mision ndërkombetar i vendosur para më shumë se 13 vjetësh vazhdon të veprojë, të paktën në një pjesë të territorit të Kosovës, duke mos njohur Kushtetuten e Kosoves dhe ligjet e vendit në këtë pjesë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›