E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisi fushata, Sarkozi kërkon votat e Le Pen

Sarkozi

Në Francë ka rinisur fushata zgjedhore mes dy kandidatëve kryesorë, Nikolas Sarkozi dhe Fransua Holande, të cilët do të garojnë më 6 maj, në balotazhin për zgjedhjet presidenciale.
Sarkozi u paraqit si kandidati mbrojtës, ndërsa Holande premtoi më shumë drejtësi. Pas numërimit të të gjitha votave, diferenca mes dy kandidatëve në rang nacional u ngushtua me më pak se 1.5 për qind, duke e bërë garën mes tyre akoma më të fortë. Sondazhet kanë nxjerrë fitues për raundin e dytë kandidatin socialist Holande me 54 për qind të votave, ndërsa Sarkozisë i mbesin vetëm 46 për qind e tyre. Fjalimet e para të fushatës për raundin e dytë ishin të ndezura dhe plot admirues për të dyja palët.
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka kërkuar hapur votat e votuesve të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen pasi humbi shumicën e votave me rivalin e tij socialist, Fransua Holande, duke shënuar herën e parë që një President në detyrë humbet në raundin e parë të votimit në Francë. Duke iu referuar votuesve të Marine Le Pen, Presidenti Sarkozi tha: Ju

Holande

dëgjova, ka një krizë vote që u dyfishua nga një zgjedhje në tjetrën, duhet ti jepet një përgjigje kësaj krize vote, tha ai.
Nikolas Sarkozi u zotua dje se do të luftojë shumë fort emigracionin dhe sigurinë dhe se do ta rikthejë në krye fushatën e tij presidenciale. Duke u përpjekur të ulë fitoren në raundin e parë të socialistit Holande, Sarkozi tha se do të vazhdojë të këmbëngulë për vlerat dhe angazhimet tonë. Kjo do të bëhet me respekt për kufijtë tanë, luftë kundër faktorëve që lëviznin jashtë tyre, kontroll të emigracionit dhe sigurinë e familjeve tona. Por askush në Europë nuk po merret me Sarkozinë dhe Holandenë në Francë. Të gjithë e kanë vëmendjen te triumfi i radikalëve të majtë e të djathtë, shumë më tepër nga sa pritej, Marinë Le Pen, e së djathtës ekstreme Fronti nacional si edhe radikalit të së majtës ekstreme, Zhan-Luk Melenkon.
Duke reaguar për mbështetjen e gjerë të Frontit Nacional, Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel kanë paralajmëruar se politika populiste ishte një kërcënim për Europën. Merkel tha se rritja alarmuese e mbështetjes së Frontit do të zbutet në raundin  e dytë. Ajo tha se do të vazhdojë të mbështesë Sarkozinë. Ndërsa Barroso tha se kriza ekonomike ka siguruar terren politik për zhvillimin e populizmit, duke e konsideruar këtë një rrezik që duhej shmangur.

Rezultatet nacionale
Fransua Holande
28.63 për qind

Nikolas Sarkozi
27.18 për qind

Marine Le Pen
17.9 për qind

Zhan Luk Melenkon
11.11 për qind

Fransua Bayrou
9.13 për qind

Eva Zholy
2.31 për qind

Nikolas Dupont-Ainjan 1.79 për qind

Filipë Poutou
1.15 për qind

Natali Artaud
0.56 për qind

Zhak Sheminad
0.25 për qind

Marine Le Pen
Ekstremistja e krahut të djathtë u rendit e treta në votimin e parë për zgjedhjet presidenciale franceze, duke ngritur shqetësime të mëdha se si në një vend si Franca fryma nacionaliste ekstreme mund të ketë kaq shumë ndikim. Le Pen, e cila mori rreth 18 për qind të votave, do ta shpallë kandidatin e saj të preferuar më 1 maj. Gjysma e përkrahësve të saj mbështesin Sarkozinë dhe gjysma Holandenë. Le Pen me mbështetjen e fortë të 6.3 milionë votuesve në Francë, ka interesa të qarta që Sarkozi të humbasë. Ajo dëshiron që partia e tij të ketë krizë e të marrë elementë prej saj, që të forcojë pozitat e veta duke u bërë forca kryesore opozitare në Francë.

Zhan-Luk Melenkon
Radikali i krahut të majtë, Zhan-Luk Melenkon, i cili u rendit i katërti në raundin e parë të presidencialeve me 11.11 për qind, beson se mban çelësin e fitores së ardhshme të presidencës. Melenkon, i cili më parë ka bërë thirrje për një revolucion qytetar, u tha mbështetësve të tij në sheshin qendror të Parisit: Ju bëj thirrje të takohemi përsëri më 6 maj pa kërkuar asgjë në këmbim, për të mundur Sarkozinë, tha ai duke shtuar jua kërkoj këtë me insistim, ju kërkoj të mobilizoheni, njëlloj sikur të ishte rasti se do të më bënit mua President, tha ai. Edhe fitorja e konsiderueshme e Melenkon në këto zgjedhje e ka shqetësuar Europën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›