Jahjaga: Kandidoj ose jo, do të mbetem faktor uniteti

Presidentja Jahjaga
Ajo është Presidentja e parë femër në historinë e Ballkanit, presidentja e parë e Kosovës e cila mori mbështetjen e tri partive të mëdha politike, si dhe presidentja që ka marrë mbështetjen e 80 deputetëve më shumë se çdo lider tjetër i Kosovës. Dhe do të mbetet në histori si Presidentja më e votuar në Parlament, pasi tashmë lideri i ri i Kosovës do të zgjidhet nga populli. Atifete Jahjaga ishte një kandidaturë e propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe e vlerësuar në arenën ndërkombëtare, edhe pse në Kosovë është kritikuar për heshtjen e saj mbi debatet e forta politike në vend. Por siç ka thënë vetë ajo, dua të qëndroj larg fërkimeve partiake. Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, ajo është shprehur se nuk e ka vendosur ende nëse do të rikadidojë apo jo, por ka theksuar se do të jetë gjithnjë faktor uniteti në Kosovë. Ja se si shprehet ajo në intervistën e Rudina Xhungës.
A do të rikandidoni ju znj. Presidente?
Së pari, nuk është hapur fushata zgjedhore. Ju e dini që Komisioni Kushtetues i mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës vetëm i ka dorëzuar propozimet e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe, pas miratimit të këtyre amendamenteve, do të hapet fushata zgjedhore për zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga populli. Mua nuk më lejohet të shprehem publikisht nëse do të kandidohem ose jo, mirëpo ajo që mund të them është se unë do të vazhdoj që të jem faktor i unitetit dhe dua të qëndroj larg këtyre fërkimeve, garave dhe valëve të tjera partiake që janë duke ndodhur.
Ndryshimet kushtetuese, kur do të marrin formë në Kosovë dhe kur do të krijohet mundësia që Presidenti i ardhshëm të zgjidhet nga populli?
Komisioni kushtetues vetëm e ka përfunduar punën e tij, që ka qenë e mandatuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe, me sa jam e informuar, sepse zyrtarisht ende nuk kanë ardhur në tryezën time, janë përcjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pas miratimit e votimit të këtyre amendamenteve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që është një procedurë e përcaktuar me rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi do të bëhet shpallja zyrtare e zgjedhjeve presidenciale dhe Presidenti do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Unë do të vazhdoj të mbaj pozitën e Presidentit në bazë të këtyre propozimeve apo rekomandimeve kushtetuese deri në momentin e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së re që do të marrë detyrën.
Pas një muaji, në Shqipëri do të zgjidhet Presidenti i ri i Republikës. Jo në formë këshille, por në formë urimi, çfarë Presidenti do i uronit Shqipërisë, ju znj. Jahjaga?
Atë që zgjedh vota e popullit dhe vullneti i popullit.
RUDINA XHUNGA