Rinisin bisedimet SHBA-Rusi për armatimet nukleare
Zhvillohet në Gjenevë mes Rusisë dhe SHBA-ve raundi i gjashtë i bisedimeve për reduktimin e armëve nukleare strategjike. Takimi mes dy negociatorëve zhvillohet pak ditë pas vendimit të presidentit amerikan Obama për të hequr dorë nga bazat antiraketë në Poloni dhe Çeki, gjë të cilën Moska e kishte kundërshtuar hapur. Kreu i shtabit të përgjithshëm rus, gjenerali Nikolai Makarov deklaron se zgjidhja më e mirë do të ishte bashkëpunimi për ngritjen e sistemeve të përbashkëta, por ai theksoi se për momentin, Uashingtoni nuk është dakord me këtë propozim.
SHBA
Mekristal kërkon më shumë trupa në Afganistan
Një raport konfidencial nga komandanti më i lartë amerikan në Afganistan paralajmëron se përpjekja ushtarake atje do të dështojë, nëse nuk ka një shtim urgjent të numrit të trupave amerikane dhe ndryshim të strategjisë. Raporti i gjeneralit Stenli Mekristal u botua nga “Uashington Post”. Ai thotë se operacionet ndërkombëtare në Afganistan po përkeqësohen dhe pa ndryshime do të jetë e pamundur të mundet talibani. Gjenerali kritikoi strategjinë e SHBA-ve dhe NATO-s që është fokusuar më shumë në vrasjen e kryengritësve, sesa mbrojten e civilëve.
Francë
Ish-kryeministri në gjyq për diskretimin e Sarkozisë
Ish-kryeministri francez, Dominik de Villepin, del para një gjykate në Paris në atë që media franceze e cilëson si procesin e dekadës. Zoti de Villepin akuzohet se ka komplotuar për të diskretituar rivalin e tij të vjetër, ish-ministrin e Financave dhe aktualisht presidentin e sotëm, Nikolas Sarkozi. Ky rast daton në vitin 2004, kur të dy politikanët ishin në garë për t’u caktuar kandidatë për president nga ana e partisë së tyre. Pretendohet se zoti de Villepin u përpoq të manipulonte një hetim gjyqësor për korrupsion për të njollosur zotin Sarkozi. Por ish-kryeministri i mohon akuzat.
Itali
Funeral shtetëror për gjashtë ushtarët e vrarë
Në Itali u mbajt dje një funeral shtetëror për gjashtë ushtarët e vrarë në Afganistan javën e kaluar. Ceremonia u krye në bazilikën e Shën Palit në Romë. Familjeve të ushtarëve të vrarë iu bashkuan edhe kryeministri Silvio Berluskoni, presidenti Xhorxhio Napolitano, liderë të tjerë politike e anëtarë të forcave të armatosura. Në shkolla dhe ndërtesa publike është vendosur të mbahet një minutë heshtje, moment që u respektua edhe nga miliona italianë të zakonshëm. Trupat e ushtarëve u varrosën privatisht në varreza. Vdekja e ushtarëve pas një sulmi kamikaz në Kabul ishte humbja më e madhe për forcat italiane.
22 Shtator 2009