E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tanja Fajon përgatit një draft-rezolutë: “Liberalizimi i vizave, çështje urgjente”



Raportuesja për vizat në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, ka përpiluar një draft-rezolutë mbi propozimin legjislativ të Komisionit për të transferuar dy vendet e rajonit nga Aneksi I, që liston ato vende ku shtetasit detyrohen të kenë një vizë për të kaluar kufirin e vendeve anëtare, në Aneksin II, që përmban listën e vendeve të treta që përjashtohen nga ky detyrim. “Bashkimi Europian ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces. Është paradoksale që pas më shumë se 20 vitesh nga rënia e Murit të Berlinit, ne ende kemi ‘murin e vizave’ ndaj fqinjëve tanë”, - shkruhet në draft.
Fajon bën thirrje për trajtimin e procesit liberalizues si “çështje urgjente”, në bazë të angazhimit të përbashkët të shprehur nga Këshilli dhe Parlamenti vitin e kaluar. “Liberalizimi i vizave ka një impakt të rëndësishëm psikologjik në mendjen e njerëzve. Dhe këtu nuk flasim për politikanët, biznesmenët apo njerëz me para. Ata kanë mënyrat e tyre për të udhëtuar jashtë vendit. Ne jemi të shqetësuar për studentët dhe ata njerëz që duhet të mbajnë radhën, në rreshta të gjatë, përpara konsullatave”, - shkruan Fajon. Drafti kërkon që ligjvënësit europianë të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për miratimin e shpejtë të propozimit të Komisionit.

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›