Rinisja e mësimit në zonat malore, MASH në pritje të raportimeve nga drejtoritë arsimore
Tiranë - Mësimi në zonat malore, të prekura nga reshjet e dëborës, do të rinisë vetëm pasi Ministria e Arsimit të nxjerrë një vendim të ri. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur se priten raportimet nga drejtoritë arsimore rajonale për situatën aktuale. Në varësi të gjendjes në këto zona do të merret vendimi se kur do të rinis mësimi. Menjëherë pas marrjes së informacioneve nga drejtoritë arsimore rajonale, Ministria e Arsimit do të publikojë vendimin se kur do të nisë mësimi në zonat që janë prekur nga reshjet e dëborës.
Ditën e hënë të kësaj jave, për shkak të motit të keq, sidomos në zonat malore të vendit, shtabi i ngritur në MASH në drejtimin e ministrit të Arsimit, Fatos Beja, njoftoi pezullimin e mësimi për tri ditë në të gjitha shkollat e qarkut të Dibrës (Dibër, Bulqizë, Mat) dhe në rrethet Mirditë e Librazhd. Ndërsa në qarkun e Kukësit mësimi është pezulluar vetëm në shkollat pranë komunave, ndërsa do të vazhdojë mësimi në shkollat pranë bashkive të Kukësit, Bajram Currit dhe Hasit. Gjatë kësaj kohe në rrethin e Pukës mësimi është zhvilluar vetëm në qytetet Pukë e Fushë-Arrëz, kurse në të gjitha komunat e këtij rrethi mësimi është ndërprerë prej tri ditësh. MASH-i njofton se koha e humbur e mësimit do të kompensohet në ditët e shtuna. Kjo masë mbështetet në Dispozitat Normative për shkollat publike në Nenin 25.
8 Janar 2009