Rio de Zhaneiro, vendi i Lojrave Olimpike

Qyteti brazilian i Rio de Zhaneiros ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Olimpike të vitit 2016. Vendimi ka ardhur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pas një mbledhjeje të gjatë të zhvilluar në kryeqytetin danez të Kopenhagenit, ku kandidatë kryesorë ishin katër qytete. Qyteti i parë që është eliminuar nga gara ka qënë Çikago e SHBA-së, qytet që edhe pse mori mbështetjen dhe përfitoi nga lobimi i Presidentit amerikan Barak Obama dhe zonjës së parë Mishel, nuk arriti të fitonte. Në fakt Obama kishte mbërritur në Kopenhagen pikërisht për të lobuar që Çikago të ishte qyteti organizator i këtyre lojërave olimpike, por përpjekja e tij ka rezultuar e pasuksesshme. Qyteti i dytë që u eleminua nga gara ka qënë Tokio i Japonisë. Ndërsa gara finale u zhvillua midis Rio de Zhaneiros dhe kryeqytetit spanjoll të Madridit. Duhet theksuar se përpara dhe gjatë përzgjedhjes së qytetit fitues të së drejtës për organizimin e "Lojërave Olimpike 2016", ka rënë në sy angazhimi i liderëve politikë të vendeve që përfaqësonin këto qytete, të cilët kanë bërë ç'është e mundur që qytetet e tyre të dilnin fitues. Përmendim këtu, Presidenti amerikan Obama së bashku më bashkëshorten e tij, Presidentin brazilian Lula, mbreti Huan Karlos i Spanjës dhe kryeministri Zapatero, si dhe kryeministri i sapozgjedhur i Japonisë. Ndërkohë që qindra mijëra banorë të Rio de Zhaneiros kishin dalë në sheshin kryesor të qytetit, për të festuar fitimin e të drejtës për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2016.