E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në Kuvend për Bamir Topin dhe milionerët e Nanos

Luis Tanushi

Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve është karakterizuar edhe nga një debat mes dy prej anëtarëve, Bashkim Finos dhe Dashnor Sulës. Nga çështja konkrete e tahorafëve, debati ka kaluar nga grushtet e Dashnor Sulës në ndeshjet e futbollit tek Bamir Topi dhe Fatos Nano. Më poshtë pjesë nga debati:

Bashkim Fino: Ju vini në këtë komision me dëshirën për të kaluar sa më shpejt këtë ligj…

Dashnor Sula: Skeni me çfarë të kaloni kohën më duket…

Bashkim Fino: Jo, Jo. Kemi kohën me të kalojmë kohën. Ne sdo merremi me grushte mor burr tani si puna jote. A mund të flas?

Dashnor Sula: Më mirë më grushte brenda fushës se të merremi…

Bashkim Fino: Mbase ti mund të mendosh që je ti më i zgjuari këtu. Ti je se je caktuar nga mazhoranca të jesh kryetari i këtij komisioni. Por unë them jo, jam unë më i zgjuari në këtë komision. Ti sma heq dot mendjen mua edhe të më thuash jo.

Dashnor Sula: Ishalla

Bashkim Fino: Po si ty sjemi ne o Dash. Atë që e themi e themi ne. Ne jemi burra e mbajmë fjalën. Ti nuk merresh vesh me kë je, me Bamirin apo me këta. Se kuptoj, njëherë je me Bamirin edhe ja fut Shehut

Dashnor Sula: Kujt?

Bashkim Fino: Atij pra që e ke pas koleg

Dashnor Sula: Jo po si ju që e patët kryetar Fatos Nanon edhe e hodhët. Si puna e këtyre që i bëri milioner Fatos Nano edhe ja futën pastaj …

Bashkim Fino: Jo po si puna jote me Bamirin dhe me Sali Shehun. Nuk ka performancë ai për të drejtuar KLSH-në. Po ti e ke pas koleg….

Socialistët japin votën e tyre për Kodin Rrugor

Ndryshe nga një ditë më parë, Komisioni i Ligjeve miratoi dje me konsensus ndryshimet në Kodin Rrugor që kërkojnë shumicë të cilësuar. Socialistët dhanë votën e tyre në favor të ndryshimit të Kodit që ka të bëjë me vendosjen e tahografit, aparaturë dixhitale e matjes së shpejtësisë dhe kohës së punimit të automjetit me peshë mbi 3.5 tonë. Socialistët u shprehën në favor të ndryshimeve të propozuara, por kërkuan një paketë më të plotë. Ripërsëris qëndrimin tim që ti kërkojmë Ministrisë së Transporteve që nëse ka amendamente të tjera, ti sjelli në këto moment, kur jemi duke debatuar për ti reflektuar në mënyrë që të mos ndodhi që në janar të diskutojmë përsëri për Kodin Rrugor. Sdo të ishte produktive për ne, por edhe për ata që e kanë të lidhur fatin edhe me Kodin, deklaroi Xhafaj.

Gjithsesi marrëveshja ndërmjet mazhorancës dhe opozitës tregoi brishtësinë e saj ku në një moment mbledhja rrezikoi që të përfshihej sërish nga debate e ashpra. Demokratët akuzuan opozitën për pengim të reformave dhe të dëmtimit të procesit të integrimit. Ajo që tha Xhafaj lidhur me vonesën dhe domosdoshmërinë e këtij projektligji, mendoj se e dimë të gjithë nga ka ardhur mungesa. Se ne këtë e kemi diskutuara edhe njëherë tjetër, dhe vetëm për mungesë të dëshirës së opozitës e kemi këtë mungesë. Të mos i tregojmë njëri tjetrit sa të interesuar që jemi, kur të gjitha janë në dritën e diellit, u shpreh deputeti Edi Paloka. Ju vini këtu me idenë që të mbarojë mbledhja për 5 minuta, aq më tepër që është me 3/5. Ndërsa ne vijmë të përgatitur. Vijmë edhe për një gjë të përgatitur, se është një ligj me 3/5 që nuk është e thënë që të kalojë sa më shpejt të jetë e mundur, përjashto kohën politike për të cilën ne skemi dhënë konsensusin. Që nga dje e në vazhdim ne tregojmë seriozitet që projektligjet me 3/5 i kemi marrë, reagoi anëtari i këtij Komisioni Bashkim Fino. Kodi Rrugor duket se do të jetë ligji që do të qëndrojë më gjatë në komisionet parlamentare. Ai do të pësojë tre ndyshime, të cilat janë dërguar në Kuvend veç e veç. Në këtë mënyrë komisionet duhet të shqyrtojnë secilin ndryshim më vete. Pjesa e miratuar dje dhe pjesa e dytë janë të karakterit teknik dhe pritet të miratohen menjëherë. Pjesa e tretë mund të shoqërohet me debate të mëdha pasi aty parashikohet një rritje kolosale e gjobave të policisë rrugore. Gjobat arrijnë shumën e 40 mijë lekëve të vjetra në një kohë kur paga mesatare në Shqipëri është pak më shumë se gjysma e vlerës së gjobës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›