E Diel, 1 Nëntor 2026

"Sopoti", lëvizja 'Zgjohu': Të zgjidhet nëpërmjet drejtësisë

Rasti “Sopoti” duhet të zgjidhet përmes institucioneve të drejtësisë, me angazhimin e politikës dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. Në këtë përfundim arritën pjesëmarrësit në debatin ‘Liri për Sopotasit’, të organizuar nga lëvizja qytetare “Zgjohu”, ndërkohë avokati Vullnet Paçuku, kërkon nga të dënuarit e rastit ‘Sopoti’ të ndërpresin grevën derisa të bëhet i ditur vendimi i Gjykatës Supreme të Maqedonisë.

“Presim në një afat kohor prej dy deri në tre muajsh që gjykata supreme të marrë verdiktin me këtë rast. Kështu që apeli dhe thirrja ime është që të burgosurit e kanë të patjetërsueshme të ndërpresin grevën e urisë sepse nuk është një rrugëdalje dhe kjo nuk e përshpejton edhe zgjidhjen”, tha Vullnet Paçuku, Avokat i të dënuarve për rastin “Sopoti”.

Sipas juristit Naser Zymberi, rasti i ‘Sopotit’ tregon mosangazhimin e faktorit politik shqiptar, ndërsa gazetari Shkëlzen Aqifi, shprehu habinë që Prokurori Publik nuk ka marrë parasysh dëshmitë e publikuara në TV Alsat.

“Po të zbërthehen këto tri pyetje do të vihet në pikëpyetje shumë çështje për Republikën e Maqedonisë dhe prandaj ky rast has në kaq shumë rezistencë për të dalë në sipërfaqe e vërteta se 11 të akuzuarit janë të pafajshëm. Sepse do të dalë që porositësi është dikush shumë lartë nëpër hierarkitë shtetërore, se ekzekutorët janë njerëz të policisë së Maqedonisë”, tha Naser Zimberi, Specialist Juridik.

“Më habit roli i Prokurorit publik, pas gjithë këtyre dëshmive nuk e pa të rrugës që të merret asnjëri në konsideratë. Prokurori publik është i obliguar nëse ka një moment të ri të dyshimit për ndonjë rast, atëherë ai është i obliguar për të merr parasysh atë rast”, raporton gazetari i ALSAT-M, Shkëlzen Aqifi.

Rasti “Sopoti” u kritikua edhe nga Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, si rast që ka mbaruar vetëm me një dëshmi verbale, ndërkohë grevistët zhvilluan një takim me një përfaqësues të OSBE-së në Shkup.

Frosina Dramiqanin < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›