E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera Lesko vlerësohet për luftën ndaj trafikimit të njerëzve

Tiranë, 5 Shkurt NOA - Vera Lesko vlerësohet
nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta si
Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjatë një takimi në Ministrinë e Punëve të
Jashtme me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të trupit diplomatik
dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe në praninë e Ministrit të Brendshëm, Lulzim
Basha, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta vlerësoi
kontributin e znj. Vera Lesko, drejtuese e qendrës Vatra në Vlorë, si një nga
personat e parë nga shoqëria civile, e angazhuar për një kohë të gjatë në
luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri.

Meta tha se vlerësimet për znj. Lesko mund të
jenë të shumta, por unë do ta vlerësoja si ambasadoren më të mirë të Shqipërisë
në luftën kundër trafikimit.

Shoqëria ka nevojë për njerëz të tillë,
komunitetit i nevojitet një lider si znj. Lesko, dhe unë si Ministër i Jashtëm
vlerësoj tek personaliteti i znj. Lesko profilin më të mirë për një Ambasadore
nderi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, - tha Meta. 

Gjithashtu z. Meta shtoi se
Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër trafikimit të
qenieve njerëzore dhe se Qeveria ka hartuar bazën e nevojshme ligjore, si dhe
Strategjinë Kombëtare antitrafik.

Arritjet e qeverisë shqiptare dhe të
strukturave të specializuara kanë qenë të dukshme dhe të vlerësuara nga
partnerët tanë. Qeveria shqiptare ka demonstruar dhe është plotësisht e angazhuar
të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, të ndalojë shfrytëzimin e personave
vulnerabël, si dhe të ndëshkojë me të gjithë rreptësinë e ligjit shfrytëzuesit
e tyre, tha z. Meta.

Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se
Qeveria është e vendosur të ndërtojë një partneritet të ri me shoqërinë civile
dhe me të gjithë grupet e interesit në mënyrë që puna e përbashkët të përfitojë
një dimension rajonal. 

Gjatë fjalës së saj, znj. Lesko shprehu
krenarinë për këtë vlerësim që ajo e konsideroi si një vlerësim që i bëhet të
gjithë stafit të Vatrës, të gjitha atyre grave dhe vajzave që me përkushtim dhe
sakrificë, kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në mbrojtje të viktimave të
trafikimit njerëzor. 

Znj. Lesko shtoi se është e vërtetë që
trafikimi i qenieve njerëzore është në rënie. Ai nuk ka më pamjen e disa viteve
më parë. Ndaj, unë sot gjej rastin të falënderoj të gjitha organizatat
kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar kundër trafikimit të qenieve
njerëzore, si dhe Ministrinë e Brendshme, policinë e shtetit, koordinatorin
kombëtar antitrafik, Ambasadën e SHBA, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, KE,
USAID, OSBE, IOM, etj. 

Në mbyllje të takimit, z. Meta i
dorëzoi znj. Lesko një Çertifikatë Mirënjohjeje, përmes së cilës shprehet
mirënjohja e thellë e Qeverisë dhe shoqërisë shqiptare për punën dhe
aktivitetin e saj në vite si dhe vlerësohet personaliteti i saj si një
Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit.

e.r/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›