Përmbytjet, Posta Shqiptare çon 300 koli me ndihma në Shkodër

Mblidhen dhe rreth 900 mijë lekë të reja të
cilat do kalojnë në llogarinë e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile
Tiranë, 5 Shkurt NOA/Florin Shehu - Posta
Shqiptare vazhdon misionin e saj në ndihmë të banorëve të përmbytur në Lezhë
dhe Shkodër. Sot mbërritën në Shkodër në dispozicion të Shtabit të Emergjencave
Civile 300 koli me ndihma të cilat do tu shpërndahen banorëve të zonave të
përmbytura të cilët tani më shumë se kurrë kanë nevojë për mbështetjen tonë
megjithëse situata po shkon drejt normalizimit të plotë.
Veç kontributit financiar të institucionit dhe
solidaritetit të punonjësve, drejtuesit e kompanisë vendosën që të vazhdonin
misionin e tyre për të qenë sa më pranë të përmbyturve.
Kështu ishte nisma e kreut të Drejtorit të Përgjithshëm
të Postës Shqiptarë z.Arqile Gorea i cili nuk nguroi që ditët e para të
përmbytjeve të vendosë për të vënë në dispozicion falas rrjetin e shërbimit
postar për çdo qytetar në çdo skaj të vendit i cili do të dëshironte të kontribuonte
për banorët e zonave të përmbytura në Lezhë dhe Shkodër.
Në këtë mënyrë jo vetëm u vu në dispozicion e
gjithë infrastrukura për transportimin dhe transferimin falas të çdo lloj
ndihme me destinacion Shkodrën dhe Lezhën por kreu i Postës Shqiptare të
njëjtën gjë e kërkoi dhe tek homologët e tij ndërkombëtare si dhe dy drejtuesve
të organizatave më të mëdha ndërkombëtare në botë, Post-Europës dhe UPU
(Unionit të Përbotshëm Postar) me anë të një letre ku kërkohej prej tyre të
solidarizoheshin duke vënë në dispozicion rrjetin postar për të mbledhur,
transferuar dhe transportuar ndihmat nga bashkëkombësit tanë në botë dhe cilido
që ka dëshirë të solidarizohet dhe të kontribuojë sadopak për lehtësimin e
kësaj situate.
Në fakt duhet thënë gjithashtu se thirrjes së
Postës Shqiptare për t;u solidarizuar për të prekurit në Shkodër i janë
bashkuar dhe shumë administrata të tjera postare ndërkombëtare ku mes të cilave
mund të përmendim Postën e Italisë, Malit të Zi ajo gjermane, Daneze, Holandeze,
Sllovene si dhe posta e Maltës.
Statistikat flasin se deri të te enjten
ndihmat e mbërritura nga qytetarët janë në 200 koli me veshmbathje si dhe rreth
900 mijë lekë të reja kontribut financiar. Qytetarët nga anë e kënd vendit si;
Tirana, Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça, Gjirokastra dhe Saranda etj, janë
paraqitur në sportelet e kompanisë lider në treg, Posta Shqiptarë për të ofruar
ndihmën e tyre për Shkodrën.
Ndërkohë pjesë së kolive mbledhur në zyrat e
Postës Shqiptarë ku duhet të theksojmë se mes kontribuuesve ka pasur dhe
punonjës të shërbimit postar si në rastin e Shkodrës do ti bashkëngjiten dhe
114 kolitë me ndihma ardhur si kontribut nga Posta e Maqedonisë pas apelit të
Postës Shqiptare.
Nga ana e saj Posta Shqiptare ka marrë të
gjitha masat për të garantuar transparencë maksimale të donacioneve të
qytetarëve duke theksuar se çdo lloj ndihme do të shkojë në destinacioinin e
duhur.
Veç këtij kontributi kompania Posta Shqiptare
ishte ndër të paratë që dha kontributin e saj financiar prej 20 mijë eurosh nga
buxheti i Postës Shqiptare, 1.9 milionë lekëve solidaritet i 2234 punonjësve,
si dhe vuri në dispozicion dhe 10 automjete në dispozicion të Shtabit të
Emergjencës ditët e vështira të përmbytjeve.
f.sh/e.r/NOA