E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqen filmate ndaluar teBashkim Shehut

TIRANE-Arkivi qendror i filmit nesër në ora 12:00 nis ditët dedikuar krijimtarisë së regjisorit Bujar Kapexhiu me shfaqjen e 4 filmave që përfaqësojnë punën e tij shumëvjeçare në artin e animacionit.
Kapexhiu është një nga themeluesit e këtij zhanri filmik së bashku me regjisorin Vlash Droboniku dhe në këtë program do të risillet puna e tij e parë, "Pika e ujit", 1976, që në fondin kronologjik të filmit të animuar mban numrin 3. Gjithashtu do të shfaqen edhe 2 filma të ndaluar më parë për motive biografike të bashkëskenaristit Bashkim Shehu: "Kur shefi merr flakë" dhe"Autogol".
Ai ka realizuar filmat "Pika e ujit", 1976; "Kur shefi merr flakë", 1980; "Autogol", 1981; "Pipiruku në pallat", 1985, 13' etj. Bujar Kapexhiu është 'Artist i merituar', aktor, piktor, regjisor, skenarist dhe ka lindur në Tiranë më 22 mars 1944. Studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit. Pas një periudhe 2-vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të "shfaqjeve liberale dhe moderniste" në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye me 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios "Shqipëria e re". Filmi "Zhgarravinat" (1977) ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e I-rë të Festivalit të III të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979 si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor; mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. "Pipiruku pret 2 miq" u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit '85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë "Dy herë mat", 1986, "Tela për violinë", 1987, "Stolat në park", 1988 "Edhe ashtu, edhe kështu", 1989.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›