E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani pranon gabimin:Humba një rast të artë

ITALI- Një rast flagrant i humbur në minutën e 88-të të ndeshjes me Fiorentinën, e ka vendosur Erjon Bogdanin në “bankën e të akuzuarve”. Një kros i Rosinës e nxorri sulmuesin kuqezi me portë bosh, por goditja e tij me kokë 2 metra larg rrjetës, u ndal nga portieri Artur Boruc. Një moment që mund t’i kishte dhuruar fitoren Çezenës, që ndodhet sërish në zonën e rënies nga kategoria. Sot, Erjon Bogdani ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të sfidës me Palermon ditën e diel. Sulmuesi kuqezi ka shprehur keqardhjen e tij që nuk shënoi, ndërkohë që ka bërë një kritikë edhe për mbrojtjen. “E pashë edhe njëherë rastin tim me Fiorentinën. Unë bëra gjithçka për të arritur atë top dhe më shumë nuk mundesha, - deklaroi Bogdani para gazetarëve. – E di që zakonisht ata janë topa për mua dhe zakonisht i çoj në rrjetë, por në atë pozicion nuk mund të bëja më shumë. Unë godita topin dhe portieri bëri një pritje të bukur. Përpos kësaj, barazimi duhet konsideruar një rezultat i mirë, pasi nuk duhen harruar vlerat e Fiorentinës”. E ndërkohë, ndeshja e radhës është Palermo, një skuadër së cilës Bogdani i ka shënuar tre gola në kohën kur vishte fanelën e Sienës. “Nuk është gjë e mirë të përballesh me Palermon në këto momente, por ne kemi nevojë për pikë dhe do të provojmë t’i marrim në Siçili, - u shpreh Bogdani për sfidën e fundjavës. – Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ata kanë humbur derbin dhe kanë ndërruar trajner, kështu që të dielën do të duan të tregojnë sesa vlejnë. Mungojnë ende 7 ndeshje, kemi nevojë që të pësojmë më pak gola, por edhe ne sulmuesit duhet të bëjmë pjesën tonë”, shtoi ai.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›