E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri i Metropolit për fëmijë 2 premiera të reja

TIRANË- Teatri i Metropolit për fëmijë do të shfaqë, duke filluar nga kjo fundjavë, dy premierat e reja "Fëmija i padukshëm" dhe "Madhëria e saj zonjush Fantazia" në sallën Çehov të këtij teatri.

"Fëmija i padukshëm", sipas tregimit të Xhani Rodarit, e përkthyer nga Milena Selimi, me regji të Orina Camës dhe skenografinë e Beqo Nanajt, do të sjellë për fëmijët historinë e djalit të padukshëm Tonit, që një ditë shprehu një dëshirë që të bëhej i padukshëm dhe çuditërisht ndodhi.

Kjo premierë do të shfaqet të shtunën dhe në të do të interpetojnë aktorët Klodiana Keco, Aldjon Matarangasi, Ledio Janushi, Rogerta Nikolla, Florian Hoxha, etj.

Ndërsa të dielën në sallën Çehov do të luhet shfaqja për fëmijë "Madhëria e saj zonjush Fantazia”, sipas autores Albena Dimitrova, e përkthyer nga Milena Selimi dhe me regji nga Endri Çela.

Akorët Alesia Burnazi, Genti Deçka, Lorenc Kaja, Nelson Mulla dhe Kleana Progni do të shfaqin për fëmijët historinë e znj. Fantazia që jeton në një shtëpi imagjinare afër qytetit, pa numër e pa adresë, që ndryshonte formën sipas gjëndjes së vetë znj. Fantazisë.

Edhe në këtë shfaqje skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj, ndërkohë që për të dy premierat kostumografe është Realda Malo dhe koreografe Aledia Kondaj.

Duke filluar që nga data 9 prill, ora 10:30, Teatri i Metropolit për fëmijë do të shfaqë çdo të shtunë shfaqjen “Fëmija i padukshëm" dhe çdo të dielë “Madhëria e saj zonjush Fantazia”, deri në 26 qershor.
Fundjavën e kaluar ky teatër shfaqi për herë të fundit shfaqjet për fëmijë "Ndodhi gazmore në Teatralia" dhe “Tre ujqërit dhe derri i keq”.

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›