Rishfaqet trafiku klandestin në Itali, ndalohen 30 shqiptarë në Foxhia
ITALI – Rishfaqet fenomeni i trafikut klandestin shqiptar në brigjet italiane. Burimet zyrtare të vendit fqinj përmes mediave, bënë të ditur se dje është bllokuar një varkë 13 metra e gjatë në brigjet e Foxhias, ku ndodheshin 30 shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Mes tyre ishte edhe një grua shtatzënë, e cila është marrë në përkujdesje nga autoritetet mjekësore lokale. Motobarka u ndalua dje në mëngjes nga patrulla e “Guardia Di Finanza”, në vendin e quajtur Gargano. Ditën e premte në mbrëmje u ndalua një gomone 5.2 metra e gjatë në brigjet e Vlorës, e cila ishte e ngarkuar me 150 kilogram Cannabis Sattiva, dhe e gatshme për tu nisur drejt Italisë.
Emigrantët
Patrulla policore e rojeve bregdetare e ka parë dhe ndjekur varkën me vela, ku u gjetën dhe klandestinët. Në bord ndodheshin, një grua, shtatzënë në muajin e tretë, si dhe pjesa tjetër të gjithë djem të rinj. Barka është dërguar në lokalitetin bregdetar Manfredonia. Gruaja e gjetur është dërguar për në spital, për t'u vënë nën kontrollin e mjekëve. Ndërkohë që tre prej të tjerëve, janë vënë në pranga pasi dyshohet se janë organizatorët dhe drejtuesit e rrjetit. Policia, zyrtarisht nuk ka bërë të ditur vendin nga është nisur barka me vela por pohoi se të gjitha dyshimet te çojnë në bindjen se kemi të bëjmë me vendnisje nga brigjet shqiptare. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet nëse motobarka është nisur nga brigjet e territorit shqiptar, apo nga Mali i Zi.
Rikthimi
Prej disa kohësh agjentët policor por edhe strukturat e ruajtjes së kufirit kanë pasur dyshime për një ringjallje të trafikut klandestin dhe trafiqeve të tjera drejt Italisë përmes detit. Kjo nxiti drejtuesit e policisë që të ndërmarrin operacionin “Deti i pastër”, i cili vuri në shënjestër vijën bregdetare nga Saranda deri në Lushnjë. Gjatë realizimit të këtij operacioni, i nisur që të enjten e javës së kaluar, u bllokua dhe u sekuestruar një mjet lundrimi, tip gomone, me gjatësi 5.2 metra. Gatë kontrollit, brenda saj u gjetën 150 kilogramë lëndë narkotike, e llojit Cannabis Sattiva. Burimet zyrtare të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në këtë qark ende nuk kanë të dhëna për autorësinë. Mjeti lundrues është diktuar në orët e vona të së premtes, në hapësirën detare në jugperëndim të Gadishullit të Karaburunit. Forcat e policisë mbërritën në vendin ku u diktua gomonia dhe e sekuestruan atë në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që pas peshimit lënda narkotike rezultoi të ishte plot 1.5 kuintalë. Burimet policore pohuan se gomonia bashkë me drogën ishte e gatshme për të nisur udhëtimin drejt Italisë. Këto dy raste flasin për rihapjen e mundësive të trafikimit të drogës dhe klandestinëve nga Shqipëria drejt Italisë, gjë që mund të ketë kosto të rëndë për vendin tonë.
I gjendet hashash në trup, ndalohet
KORÇË – Një djalë 16 vjeçar në qytetin e Korçës, është kapur nga policia me një sasi lënde narkotike që e kishte fshehur në trupin e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se adoleshenti M. T., 16 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 14 në qytetin juglindor, u arrestua në flagrancë në orën 10.30 të ditës së hënë pasi u kap me një qese plastmasi me tre gram marijuanë që e kishte fshehur brenda në trup.
Policia tha se po heton origjinën e drogës së zbuluar dhe mundësitë e një trafiku me disa të implikuar të marijuanës.
Vdes 8-vjeçarja, u godit nga një masiv i gurtë
POGRADEC – Një vajzë e vogël është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekje në rrethana ende të të dyshimta, teksa po luante me shoqet e saj në një arë jo larg banesës së saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 11.00 kur 8-vjeçarja K. B., lindur dhe banuese në qytetin e Pogradecit, ishte duke luajtur me dy shoqet e veta në ledhin e një are pranë banesës së saj kur u përball me tragjedinë. “Vajza, në lojë e sipër është rrëzuar dhe i ka rënë një gur i cili e ka dëmtuar në pjesën e pasme të veshkave dhe më pas është dërguar në spitalin e Pogradecit por atje, me gjithë përpjekjet e bëra, ka ndërruar jetë. Policia tha se janë kryer veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë të rrethit Gjyqësor Pogradec.
14 Tetor 2008