Hetues nga Tirana për djegien e autobusëve në Fier
FIER - Zjarri i rënë në Parkun e Autobusëve në Fier ka detyruar organet hetimore të Fierit që të marrin ekspertë nga kryeqyteti. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se dje në mëngjes një grup ekspertësh nga Tirana kanë nisur të hetojnë dhe të kontrollojnë të gjithë vendin për të gjetur ndonjë gjurmë nga zjarrvënësit. Mësohet se dëmi i shkaktuar nga zjarri pas djegies së autobusëve kap një vlerë prej mbi 12 milion lekësh. Burime policore thanë se, janë djegur 8 autobusë të linjave Fier-Vlorë dhe Fier-Tiranë. Katër prej tyre kishin si pronar shtetasin Arjan Hyka, i cili bënte rrugën Fier-Vlorë për përcjelljen e studentëve fierakë dhe marrjen e tyre nga Vlora. Dy të tjerë kishin pronarë Lulëzim Shanaj dhe një Kujtim Shpërdheja. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës. Flakët kanë shkaktuar panik tek banorët e zonës përreth vend-parkimit të automjeteve. Shpërthimet e depozitave të karburantit të mjeteve ishin shumë të forta dhe kanë penguar edhe ndërhyrjen e zjarrfikësve në vendngjarje. Pronarët e autobusëve të dëmtuar thanë për policinë se zjarri duket i qëllimshëm për shkak të konkurrencës që ka në mes pronarëve të linjave kombëtare të transportit.
Merr flakë automjeti, të paqarta motivet
VLORË - Një automjet mori flakë dje në qytetin e Vlorës, në rrethana ende të pazbardhura nga policia. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "mjeti tip "Isuzu", me targa VL 0491C, u dogj plotësisht, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Vlorës". Nga të dhënat paraprake të ekspertëve rezulton se mjeti është përfshirë nga flakët në rrethana të qëllimshme dhe autorë të zjarrvënies mendohet të jenë disa të rinj, që kanë përdorur lëndë djegëse.
Denoncoi trafikantët e së bijës, qëllohet me mjete të forta
BERAT – Një 52-vjeçar, vajza e të cilit denoncoi një person që e trafikoi në Greqi ka mbetur i plagosur si pasojë e goditjes që i kanë bërë disa persona me mjete të forta. Burimet policore bëjnë të ditur se Gani Dolla ka shpëtuar për pak pasi ata e kanë qëlluar për ta ekzekutuar. Vajza e tij 19-vjeçare në shtator të vitit 2007 iku në Greqi së bashku me tezen e saj, por atje është ndodhur përballë faktit që të dalë në rrugë pas presionit të ushtruar ndaj saj nga persona që nuk bëhen të ditur emrat e tyre. Pak muaj më parë, vajza e Dollës është kthyer në Shqipëri nga policia e shtetit fqinj dhe më pas ka denoncuar publikisht autorët që e detyruan të ushtronte profesionin e prostitutës në rrugët e Athinës. Babai i saj Gani Dolla tregon se i njeh ata që e goditën. “Unë e di kush është personi që më goditi, madje atë e njohin edhe vetë organet e policisë", u shpreh Dolla. Autori i kësaj ngjarje thuhet se është një i afërt i tyre që në shenjë hakmarrje për padinë që ka bërë vajza e trafikuar, ka goditur babanë e saj.
Gjendet i vdekur pranë portit babai i 6 fëmijëve
DURRËS – Një 44-vjeçar, babai i 6 fëmijëve, është gjetur i vdekur në rrethinat e Portit të Durrësit, ndërsa nuk ka një pistë zyrtare për rrethanat e ngjarjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 09.30, në lagjen Nr. 1 në qytetin bregdetar, në afërsi të murit rrethues të Portit Detar Durrës, është gjetur i mbytur në det shtetasi Rahman Hyka, lindur në Gramsh dhe banues në lagjen Nr. 18. Viktima, babai i 6 fëmijëve, ishte i punësuar pranë një firme në lagjen Nr. 14. “Lidhur me rastin në fjalë, grupi hetimor kreu gjithë veprimet e para nga të cilat rezultoi se shtetasi në fjalë, kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në punë në orën 07.00 të po kësaj dite”, - thonë burimet policore, sipas të cilave, “në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune”. Ekspertët po punojnë për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe saktësimit të rrethanave të ngjarjes.
Ndalohet 31-vjeçari, aksidentoi me automjet një të ri
VLORË - Policia e Vlorës ndaloi një 31 vjeçar, pasi dyshohet ka aksidentuar me automjetin e tij një 17 vjeçar, që ndodhet në gjendje kritike për jetën. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se, "Sokol Elmazi u ndalua dje paradite nga policia në përfundim të hetimeve paraprake të ngjarjes që ndodhi dy ditë më parë, në një nga rrugët e qytetit, ku si pasojë u plagos rëndë E.C., 17 vjeç". Sipas policisë, 17 vjeçari ndodhet në spital, në gjendje të rëndë, pasi u përplas nga një automjet "Wolksvagen", që drejtohej nga Elmazi. Mësohet se 31-vjeçari akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit, me pasojë plagosjen.
Përplasi kalimtarin me motoçikletë, mbetet i vdekur
SHKODËR – Një 57-vjeçar ka gjetur vdekjen e menjëhershëm, pasi teksa drejtonte një motoçikletë, ka aksidentuar një kalimtar dhe aksidenti ka qenë me pasoja fatale për të. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ditën e hënë, rreth orës 11.00, në lagjen “Liria”, në qytetin verior, në aksin rrugor Shkodër – Muriçan, pikërisht matanë Urës së Bunës, një motoçikletë tip “Piagio”, pa targa, me drejtues shtetasin Xhemal Halili, ka përplasur kalimtarin R. Raishta. Sipas tyre, 45-vjeçari nuk ka pësuar asnjë dëmtim serioz, por drejtuesi i motoçikletës ka gjetur vdekjen e menjëhershme vetë drejtuesi i motoçikletës, shtetasi Xhemal Halili, lindur dhe banues në lagjen “Daniel Matlia”. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, cili po kryen veprimet e para verifikuese në lidhje me këtë aksident.
14 Tetor 2008