E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishikimi i taksave kombëtare, shënon etapën e dytë të revolucionit fiskal dhe zhvillimin më madhor në procesin e decentralizimit fiskal

-       Projektligji “Për taksat kombëtare”  liberalizon klimën e biznesit në vend

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për taksat kombëtare”, që parashikon reduktimin e taksave kombëtare nga 23 në 6 dhe kalimin e një numri taksash të tjera qeverisje vendore. Kryeministri Berisha tha se ky hap shënon etapën e dytë të revolucionit fiskal dhe zhvillimin më madhor në procesin e decentralizimit fiskal.    

“Pas një pune intensive shumë mujore, Ministria e Financave sjell në qeveri vendimin për etapën e dytë të revolucionit fiskal. Kjo etapë është vërtet jashtëzakonisht e rëndësishme. Shqipëria kalon nga një vend me 23 taksa kombëtare, në një vend me 6 taksa kombëtare, me mbi tre herë më pak taksa. Në listën e taksave kombëtare, shumë prej tyre janë hequr përfundimisht,” u shpreh Kryeministri, duke e konsideruar këtë vendim një lajm të gëzuar për komunitetin e biznesit.

Risia e dytë e kësaj faze, - tha Kryeministri - është kalimi nga qeveria qendrore tek qeveritë vendore i një serie taksash të plota ose në bashkëadministrim, me vlerë 120 milion dollarë.    

“Risia e dytë e madhe e fazës së dytë të rezolucionit fiskal është se qeveria qendrore në këtë ndryshim i kalon qeverive vendore një seri taksash të plota, ose në ndarje të përbashkët, të cilat kapin vlerën 10 miliard lekë ose 120 milion dollarë. Kjo përbën një nga zhvillimet më madhore në decentralizimin fiskal dhe vitin që vjen, me këto taksa  bashkitë e komunat e vendit pësojnë një rritje të madhe të buxhetit të tyre.”  

Kryeministri Berisha garantoi se, pavarësisht nga decentralizimi fiskal, qeveria nuk do ta zvogëlojë grantin për qeverisjen vendore.  

“Zotohem se qeveria, pavarësisht nga decentralizimi fiskla, nuk do të zvogëlojë grantin për qeveritë vendore dhe do të bëjë çdo përpjekje t’u krijojë mundësitë e huamarrjes,” u shpreh Kryeministri. Ai shprehu vlerësimet se qeveritë vendore po dëshmohen autoritete serioze në zbatimin e projekteve infrastrukturore shumë të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve që ata qeverisin.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›