Kryeministri Berisha takon Presidentin e Republikës së Bosnje-Hercegovinës, zotin Haris Silajxhiç
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim Presidentin e Republikës së Bosnje-Hercegovinës, zotin Haris Silajxhiç dhe delegacionin që e shoqëronte.
Kryeministri Berisha i uroi Presidentit të Bosnje-Hercegovinës mirëseardhjen në Shqipëri si një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe si një promotor i paqes dhe stabilitetit në Bosnje-Hercegovinë dhe në mbarë rajonin.
Presidenti i Bosnje-Hercegovinës falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i gjithëanshëm i Shqipërisë dhe nga rritja e prestigjit të vendit pas marrjes së ftesës për në NATO, për të cilën Presidenti i Bosnje-Hercegovinës uroi ngrohtësisht Kryeministrin Berisha.
Presidenti i Bosnje Hercegovinës, zoti Haris Silajxhiç tha se një Shqipëri në NATO është një garanci më shumë për stabilitetin dhe paqen në rajon si dhe një siguri për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Më tej biseda u ndal në marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, të cilat duhet të forcohen më tej përmes nënshkrimit të marrveshjeve të çdo fushe si dhe me hapjen shumë shpejt të ambasadave të dy vendeve.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Bosnje Hercegovinës theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë në turizëm, në prodhimin e energjisë, në marrëdhëniet kulturore etj. Në këtë aspekt Presidenti i Bosnje-Hercegovinës theksoi se disa kompani të vendit të tij operojnë tashmë me sukses në Shqipëri dhe se të gjithë investitorët gjejnë këtu procedura më të lehta të hapjes së biznesit të tyre si dhe një sistem të taksave favorizues.
Kryeministri Berisha ftoi investitorët e Bosnje Hercegovinës të investojnë në Shqipëri si dhe garantoi mbështetjen e qeverisë së tij.
Më tej Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Republikës së Bosnje-Hercegovinës, z. Haris Silajxhiç u shprehën për median:
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam bisedime shumë të përzemërta me Presidentin e Republikës së Bosnje-Hercegopvinës, mikun tim të shquar dhe të Shqipërisë, zotin Haris Silajxhiç. Me Presidentin Silajxhiç diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet bilaterale, të cilat janë marrëdhënie thellësisht miqësore, me një të ardhme të shkëlqyer, marrëdhënie që kanë në bazë një miqësi afatgjatë tradicionale mes dy kombeve dhe dy vendeve tona, marrëdhënie që bazohen në projekte të përbashkëta te integrimit në BE dhe NATO. Me Presidentin Silajxhiç jemi të mendimit se dy vendet tona të nënshkruajnë të gjitha marrëveshjet për të konsoliduar bazën ligjore të një bashkëpunimi të shkëlqyer. Ne konstatojmë se marrëdhëniet ekonomike dhe interesi i komunitetit të biznesit është në rritje. U angazhuam të nxisim dhe inkurajojmë investimet në fushën e turizmit, energjisë dhe në fusha të tjera. Në të dy vendet tona respektive jetojnë pakica. Shqiptarët jetojnë prej shekujsh në Sarajevë dhe vende të tjera të Bosnje-Hercegovinës si qytetarë të respektuar me të drejta dhe liri të plota. Boshnjakët jetojnë në Shqipëri edhe ata prej shekujsh, kanë kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e vendit, janë qytetarë të nderuar dhe të respektuar, ndaj dhe të dy vendet shohin një të ardhme të shkëlqyer në marrëdhëniet mes tyre. Shqipëria do të hapë ambasadë në Sarajevë dhe i kushton një rëndësi të veçantë marrëdhënieve me këtë vend mik. Si dy politikanë me një memorie pak më të gjatë për zhvillimet në Ballkan i shprehëm njëri-tjetrit kënaqësinë e madhe për ndryshimet e mëdha pozitive të vendeve dhe rajonit tonë dhe optimizmin tonë të madh për të ardhmen. Dua të përshëdes mikun tim dhe të të gjithë shqiptarëve dhe ta falenderoj për këtë vizitë që përbën një ngjarje kulmore politike në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Presidenti Silajxhiç: Mund t`ju them se së bashku me delegacionin e Bosnje-Hercegovinës që është këtu prezent, patëm me Kryeministrin Berisha, një takim miqësor ose më mirë të themi një takim shumë të ngrohtë. Të gjithë ne e ndiejmë veten shumë mirë këtu dhe gjej rastin t`ju falenderoj për miqësinë dhe mikpritjen që na është ofruar. Ndjehem shumë mirë që ndodhem këtu, është hera e parë që ndodhem në Shqipëri dhe gjeta rastin të takohem me mikun tim personal dhe mikun e popullit të Bosnje-Hercegovinës, zotin Berisha. Kjo që unë vërejta këtu është se ne tërhoqëm vëmendjen e medias së Shqipërisë dhe gjej rastin t`i falenderoj ata për prezencën e tyre këtu. Shfrytëzoj rastin gjithashtu të them se me zotin Berisha kemi ndjenjën e optimizmit, e cila është një ndjenjë mjaft e mirë. Në Bosnje-Hercegovinë ne kemi një rritje ekonomike e cila është evidente, kemi nënshkruar marrëveshjen me BE-në ecim me sukses në drejtim të NATO-s . Shqipëria prej ka nënshkruar prej kohësh marrëveshjen me BE-në dhe ka marrë ftesën për të qenë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe ky është një avantazh i madh, një hap i madh përpara.
Rajoni i Europës Juglindore do të jetë një partner konstruktiv në BE. Unë prezantova shkurtimisht mundësitë tona ekonomike, veçanërisht theksova rëndësinë e resurseve tona energjetike sepse ne sikurse Shqipëria kemi resurse shumë të mëdha hidrike, kemi edhe resurse të tjera dhe mjaft potencial për numrin e banorëve që kemi. Biseduam për një bashkëpunim dypalësh. Shqipëria po bën hapa të mëdhenj përpara përsa i përket thjeshtimit të procedurave në lidhje me punësimin dhe ne po mundohemi të bëjmë diçka të ngjashme. Megjithatë dua t`ju them se sistemi ynë, për arsye të ndryshme është mjaft i komplikuar. Me këtë rast unë dua të mbështes zotin Berisha, i cili tha se nuk ka marrëveshje që të dy palët nuk mund të nënshkruajmë dhe nuk ka fushë në të cilën të dy palët nuk mund të bashkëpunojnë. I shpreh falenderimet zotit Kryeministër për ftesën që u bëri kompanive tona për të ardhur dhe ushtruar aktivitetin e tyre në vendin tuaj, kjo është në fakt në interes të dyanshëm dhe në fund shpresoj që kjo vizitë do të hapë një dimension të ri në marrëdhëniet tona në të gjitha fushat. Zoti Kryeministër ju falenderoj!.