E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me investitorë estonezë

Pas vizitës së kryeministrit Berisha në Estoni, është rritur ndjeshëm interesi i biznesit estonez për të investuar në Shqipëri. Sot, Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësues të qeverisë estoneze dhe kompanisë hekurudhore estoneze Skinest Reil As, të cilët paraqiten projektet e tyre në fushën e teknologjisë së informacionit dhe infrastrukturën hekurudhore.

Investitorët estonezë vlerësuan klimën e përshtatshme që ekziston në vend, në ndihmë të biznesit, si dhe masat e ndërmarra nga qeveria për lehtësimin e veprimtarisë së investitorëve në tërësi. Ata i paraqitën kryeministrit projekte konkrete në fushën e IT, si dhe për zhvillimin e infrastrukturës në përgjithësi dhe asaj hekurudhore në veçanti.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i falënderoi investitorët për vëmendjen e treguar lidhur me këtë sektor kaq të rëndësishëm, siç është ai hekurudhor duke i siguruar në të njëjtën kohë se hekurudhat do të kenë një të ardhme të shpejtë në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se linjat hekurudhore duke u lidhur me Maqedoninë krijojnë një transport të sigurt dhe të lirë për pasagjerët  të Evropës drejt  Ballkanit dhe detit.

Ndër të tjera, Kryeministri evidentoi faktin se pasuritë e panumërta minerare që përmban Shqipëria kanë tërhequr vëmendjen e shumë investitorëve të huaj dhe transporti i tyre nëpërmjet linjave hekurudhore paraqet interes dhe është shumë i kërkuar.

Kryeministri i siguroi investitorët estonezë se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të lehtësojë veprimtarinë e tyre në Shqipëri, në fusha me interes për vendin siç është zhvillimi i teknologjisë së informacionit, përmirësimi dhe modernizimi i rrjetit hekurudhor, si dhe në fusha të tjera.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›