E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Zëvendës Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit të Spanjës, zoti Manuel Rivero Gonzales

Kryeministri Berisha priti sot pasdite, në një takim Zëvendës Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit të Spanjës zoti Manuel Rivero Gonzales, i cili shoqërohej nga një grup avokatësh të shtetit të Spanjës.

Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen falënderoi   grupin spanjoll për ndihmën dhe përkrahjen e Mbretërisë Spanjolle për forcimin dhe ngritjen e cilësisë së mbrojtjes së shtetit në proceset gjyqësore civile brenda dhe jashtë vendit.

Më tej u diskutua për ndihmën që Avokatura e Shtetit të Spanjës do t’i japë Ministrisë së drejtësisë shqiptare për ngritjen e gjykatave administrative ku Kryeministri Berisha u shpreh se shpejt do të ngrihen gjykatat administrative në vend.

Zëvendës Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Mbretërisë së Spanjës zoti Manuel Rivero Gonzales falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen si dhe për përkrahjen e tij në këtë proces të kooperimit midis institucionit të Avokatit të Shtetit spanjoll, me një eksperiencë 125 vjeçare në këtë fushë dhe Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë duke pasur për qëllim vendosjen e shtyllave të rëndësishme në mbrojtje të një shteti efikas, të fortë dhe të mbrojtur nga gjyqësori, siç e kanë të gjitha vendet e zhvilluara të BE-së ku Shqipëria aspiron të jetë.

 Zoti Manuel Rivero Gonzales theksoi se gjatë seminareve intensive të cilat janë pjesë e këtij procesi kooperimi, ka patur një shkëmbim frutdhënës dhe reciprok  eksperiencash dhe se përvoja e pasur spanjolle në këtë sektor do të jetë një ndihmë e vyer për Shqipërinë.

Kryeministri Berisha theksoi se për  Avokatin e Shtetit, si një sektor i ri e pa shumë traditë në vend, qeveria shqiptare ka vullnetin e mirë për të adaptuar standardet më të mira, si dhe garantoi për një mbështetje të vendosur në fuqizimin e këtij institucioni.

Në këtë takim merrte pjesë dhe Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, zoti Manuel Montobio  dhe Ministri i Drejtësisë, zoti Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›