Fule: Duhet dialog, partitë kanë përgjegjësi për krizën
Erald Kapri
Komisioneri i Zgjedhimit në Komisionit Evropian, Stefan Fule, deklaroi se partitë janë përgjegjëse për situatën politike në vend. Në një bisedë për agjencinë "Euraktiv", Fule tha se në vizitën e tij të fundit në Shqipëri theksoi rëndësinë e kritereve politike. Sipas tij, mungesa e dialogut politik po sjell pasoja në mosrealizimin e reformave që kërkojnë ligje të veçanta në Kuvend. "Mesazhi im për Tiranën ishte shumë i qartë - tha Fule, duke shtuar se - përgjegjësi për këtë kanë të gjitha forcat politike, maxhoranca dhe opozita". Në këtë intervistë, komisioneri i Zgjerimit shprehu edhe shqetësimin e stabilitetit të institucioneve. "Shqipëria është bërë një vend anëtar i NATO-s dhe Këshilli Evropian i ka kërkuar Komisionit të përgatitë një opinion për vendin. Por gjithashtu, theksova rëndësinë e kritereve politike. Unë shpreha shqetësim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe mungesën e dialogut politik në Parlament. Theksova gjithashtu rëndësinë e këtij dialogu, pasi ligjet miratohen në Parlament dhe nuk mund të bëhen reforma, nëse nuk ekziston legjislacioni i duhur. është në dorë të shqiptarëve dhe unë shpresoj shumë që ata të bëjnë progres dhe të tregojnë se kanë një demokraci të pjekur", deklaroi më tej Fule.
Ndërsa për fitimin e statusit kandidat, Fule ka theksuar se Tirana zyrtare ka ende detyra "shtëpie" për të bërë. "Unë mendoj se ne jemi në një fazë, ku të gjithë kanë ende për të bërë disa detyra të 'shtëpisë'. Dhe në veçanti në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vështirë se mund të gjeni dy vende që janë në pozitë të njëjtë, edhe pse Komisioni aktualisht është duke përgatitur një vlerësim dhe gjithashtu rekomandimet për Këshillin Evropian, që më vonë të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Malin e Zi", - u shpreh në një intervistë tjetër për "DW", komisioneri i Zgjerimit. Duke u ndalur në këto konstatime, ai theksoi se vendet e Ballkanit nuk do të lihen jashtë vëmendjes së BE-së. Por Fule shtoi se, çdo vend duhet t'i realizojë vetë kriteret e tij dhe se perspektiva e tyre është e ndarë. "Ka rëndësi që këto vende të mos lihen jashtë. Mendoj se shtetet anëtare janë shprehur qartë se perspektiva evropiane është e ndarë për secilin vend veç e veç në Ballkanin Perëndimor", shtoi Fule. Duke u ndalur te vendet e tjera në BE-së, Fule theksoi se Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë përparime fantastike gjatë muajve të fundit në procesin e integrimit të plotë në BE.