E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votat e kandidatit Basha, në kutitë që vazhdojnë të numërohen

15/05/2011  Fenomeni i ri i vënë re në kutitë për njësitë bashkiake

Ndërkohë që është mbyllur numërimi i kutive të votimit, dhe po numërohen votat për këshilltarët, dhe kryetarët e njësisë bashkiake është vënë re një fenomen i çuditshëm. Në kutitë e votimit për kryetar të njësive bashkiake, janë gjetur fletë votimi për kandidatët për kryetar bashkie. Ky fenomen ka ndodhur në të gjithë Tiranën, por më i ekzagjeruar ka qenë në njësitë bashkiake, numër 6, 8,9, 2 dhe 11, ku përgjatë numërimit janë gjetur jo pak, por më shumë se 100 fletë votimi në favor të kandidatit të PD-së Lulzim Basha. Siç raportoi dje një media, vetëm në KZAZ që i përket zonës së kombinatit, pra njësisë numër 6 janë gjetur 8 të tilla. Në total këto fletë deri në orët e vona të mbrëmjes ishin në një shifër rreth 100 për kandidatin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Për këtë qëllim, komisionerët e këtyre zonave i kanë shënuar këto në procesverbal, së bashku me kërkesën që ato t’i shtohen për numërim rezultatit final të votave për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit. Sipas burimeve, këto fletë janë krejtësisht të vlefshme, çka do të thotë që nuk kanë dëmtime, nuk kanë gabime, dhe vullneti i zgjedhësit është shprehur qartazi, i vetmi gabim që është bërë është ngatërrimi i kutisë. Nga ana e tyre komisionerët socialist kanë këmbëngulur që këto fletë votimi, që mund të sjellin një rezultat të ri duke shtuar diferencën për njërin apo tjetrin kandidat, pritet të numërohen në KQZ në ditët në vazhdim, pasi kodi sqaron saktë që fleta quhet e vlefshme, atëherë kur zgjedhësi e ka pasqyruar qartë, dhe pa gabime vullnetin e tij. Kjo e dhënë e re që po del gjatë numërimit, në sy të të gjithë vëzhguesve vendas apo ndërkombëtarë që ndodhen në KZAZ është një tjetër zhvillim i këtyre zgjedhjeve, që mund të hapë dhe dyshime nëse kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm, apo janë thjeshtë gabime njerëzore. Ndërkohë dje ka reaguar dhe KQZ në lidhje me shpalljen e rezultatit, institucion për të cilin rezultati i shpallur deri më tani ende është i pakuptimtë “Është e kuptueshme që mund të ketë gabime njerëzore gjatë hedhjes së të dhënave paraprake, sepse edhe praktika e tregoi këtë, ndonëse në shumë pak raste do fillojë menjëherë verifikimin e tabelave të rezultateve të secilës qendër votimi, dhe do të shpallë menjëherë rezultatin zyrtar në bazë të Kodit Zgjedhor. Aktualisht, rezultati paraprak konsiderohet i dyshimtë sepse kandidatët garues u ndanë me një diferencë shumë të vogël mes tyre”, tha Lushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›