E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani kërcënon nënkryetaren me përjashtim

26/06/2009  KQZ përfshihet në debat. Subashi dhe Laze braktisin mbledhjen, Varfi qëndron

Pak ditë para datës së zgjedhjeve anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përfshihen për të dytën herë në konflikte banale dhe personale mes tyre, konflikt i cili është shoqëruar edhe me braktisje të sallën nga nënkryetarja Dëshira Subashi. Më pas ajo u ndoq në reagimin e saj edhe nga anëtari tjetër i propozuara nga Partia Socialiste, Artan Lazaj. Shkak për replikat mes kryetarit Arben Ristani dhe nënkryetares si dhe dy anëtarëve Lazaj dhe Klement Zguri shërbeu vendimi i KQZ-së në një mbledhje të mëparshme. Ky vendim, i ndarë 4 me 3, lejonte prodhimin e rreth 700 fletëve të votimit për dy qendra të posaçme, konkretisht katër ditë para datës së zgjedhjeve. Në debatet për këtë çështje opozita në komision e cilësoi si një proces jo të ligjshëm, ndërkohë që maxhoranca e votoi me shumicë votash. “Për rreth 50 vendime që ka marrë KQZ-ja ne kemi qenë të ndarë në votë. Unë deklaroj se kemi qenë të ndarë në pikat më të nxehta të procesit, atje ku ne nuk duhet të ndaheshim, atje ku nuk funksiononte vota ‘kundër’. Ky është mesazhi që unë jap. Një vendimmarrje që hidhet sot dhe merr 7 vota nuk besoj se ka të njëjtën peshë të asaj kategorie që unë them. Më vjen keq seriozisht për ju”, - tha Subashi që në fillim të mbledhjes së djeshme. Kaq ka mjaftuar që të pasojë një debat deri dhe personal mes palëve e shoqëruar me braktisjen e mbledhjes. “Sigurisht që unë bëj punën time dhe ju tuajën. Nuk jam këtu për t’i bërë fresk askujt, jam për të bërë detyrën time, ashtu siç e mendoj, me përgjegjësi të plotë dhe natyrisht nuk do të rri në këtë tavolinë sa kohë që shikoj se procesi cenohet. Gjithë ajo punë e vendimmarrjes së KQZ-së mund të shkelmohet vetëm me një vendimmarrje dhe ky rrezik ka ekzistuar pikërisht në këto dy pika. në miratimin e qendrave private dhe në vendimmarrjen e djeshme të fletëve të votimit për burgjet”, - tha ajo. Mirëpo largimi i Subashit është shoqëruar me një paralajmërim të kryetarit Ristani për përjashtim nga KQZ-ja. “Më duhet të them se procesi ka mbarëvajtje shumë të mirë. Por ju kujtoj se, nëse mungoni dy herë rresht, do të kërkoj të përjashtoheni nga komisioni në bazë të ligjit. Po mundoheni me të gjitha forcat të bëni pisë procesin”, - tha ai. I pranishëm në mbledhje, anëtari tjetër i opozitës, Pandeli Varfi, edhe pse mbështeti reagimin e kolegëve që braktisën mbledhjen, tha se në respektim të parimeve të tij një gjë të tillë nuk do ta bënte asnjëherë.

Replikat

Zguri

“Tendenca për të bërë pisë KQZ-në dhe administratën është dashakeqe, sepse KQZ-ja nuk konsumon vetëm këtë mbledhje, KQZ-ja është tërë kohën në dispozicion.”

Laze

“Mund të keni të drejtë se administrata punon dhe se punon deri në orët e vona, por nuk e di për kë punon.”

Zguri

“Ti ikën që në orën 3:00. Kur ke ndenjur ndonjëherë pas orës 24:00, më thuaj?”

Laze

“Por nuk flemë bashkë dhe nuk jemi në një zyrë bashkë.”

Zguri

“Po mirë është të flemë, që të shikojë si punon administrata.”

Laze

“Duke parë gjendjen e punimeve dhe duke u nisur nga kërcënimet e kryetarit se, po të mungoni dy ditë, ju përjashtoj, edhe unë do largohem nga mbledhja.”

Ristani

“Burracakët largohen nga beteja, këtë ta dini mirë.”

Laze

“Më vjen keq që ju përdorni këtë gjuhë, por ky është problem i atyre që ju kanë zgjedhur. Nuk duhen të përdoren fjalë të tilla: “burracak”, “morracak” etj.

Ristani

“Kjo është çështje e pastërtisë suaj, por burracak janë ata që largohen nga beteja.”

Varfi

“Njerëz që kanë bërë veprime shumë më të rënda në të shkuarën, nuk mund të mbajnë ligjërata për parimet e KQZ-së, njerëz që kanë konflikte interesi. Unë nuk po distancohem nga veprimi i kolegëve, por s’e kam bërë asnjëherë dhe s’kam ndër mend të largohem nga komisioni.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›