E Diel, 1 Nëntor 2026

METE i revokon lejen një kompanie minerare

Zyra e shtypit e kësaj ministrie bëri të ditur se nga kontrollet e ushtruara vërehet se në minierë nuk është punuar dhe nuk punohet.

Shoqëria nuk ka realizuar detyrimet në përputhje me projektin e zhvillimit të aktivitetit minerar, ndërkohë që nuk rezulton të jenë paraqitur nga shoqëria bilanci financiar periodik e vjetor, marrëdhëniet financiare me banka, sigurimet shoqërore, drejtorinë rajonale të tatimeve, marrëdhëniet me doganat, si dhe pagesat e kryera të faturave të energjisë elektrike të konsumuar. 

Në këto kushte METE vendosi sot revokimin e lejes minerare të shfrytëzimit nr. 1068, datë 20/08/2007, dhënë shoqërisë “Tete Albania Tunnel & Mining” shpk, në objektin ish-miniera e bakrit Spaç, Mirditë, për shfrytëzimin e mineralit të bakrit.

Për sa i përket sektorin minerar në vendin tonë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka konstatuar se disa prej subjekteve nuk përmbushin detyrimet ligjore dhe në vend që të zhvillojnë lejet minerare që kanë marrë i mbajnë ato në konservim.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës garanton se, nuk do të lejojë asnjë kompani fantazmë apo sekserët e tyre që të mbajnë peng ekonominë shqiptare. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka njoftuar sot 829 subjekte që ushtrojnë aktivitetin minerar në vendin tonë se, në rast se ato nuk do të plotësojnë kushtet e përcaktuara në paketën përkatëse ligjore, do të zbatojë sanksionet përkatëse. /Start/

                                                                                             2011-07-25 17:53
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›