E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Rithemelimi” i PD-së, Garo: Dënimi i truprojës së Tahirit me 8.8 vjet burg, është një tallje e hapur me drejtësinë

Zëdhënësja e “Rithemelimit” të PD-së, Floriana Garo, ka komentuar sot vendimin e GJKKO-së, për dënimin me 8.8 vite burg të Hekuran Markut, ish- truprojë e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas Garos, dënimi i truprojës së ish-ministrit Saimir Tahiri me 8.8 vjet burg, me akuzën e grupit të strukturuar kriminal, është një tallje e hapur e drejtësisë shqiptare me veten dhe me opinionin publik.

 “Sa për kujtesë, shefi i tij, ministri kampion i “qeverisë Rama 1” është dënuar me 3.4 vjet me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Dënimi i vartësit të drejtpërdrejtë me trefishin e dënimit të shefit dhe me trefishin e akuzës është kujtesë e hidhur e politizimit të drejtësisë në Shqipëri. Nëse u ktheheni përgjimeve të botuara në gazetën BILD, e mbani mend se Sajmir Tahiri, siç del qartë nga bisedat, nuk ishte një emër rastësor në rrjetin e narkotrafikut me Italinë, por Il Padrino i operacionit”- deklaroi Garo.

Zëdhënësja e “Rithemelimit” të PD-së, faktet e publikuara nga ish-komisari Dritan Zagani, bëjnë të qartë se shkarkimi dhe përndjekja e tij, erdhi pasi interferoi me kushërinjtë e ministrit Tahiri.

“Nëse ktheheni mbrapa në kohë do iu shfaqet Audi i famshëm A8 i ish-ministrit, me të cilin kushërinjtë e tij, pjesë e një strukture kriminale trans-adriatike kalonte çdo postbllok policor sepse “ishte makina e shefit”. Të gjithë këta tregues janë provë e pakundërshtueshme, jo vetëm e përfshirjes së ministrit të Edi Ramës, por edhe të rolit drejtues që kishte ai në krye të organizatës”- theksoi zëdhënësja e “Rithemelimit” të PD-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›