E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ritmi i shpejtë i reformave, mundësi për dy lajmë të mira për Shqipërinë në vitin 2012”

02-12-2011 / Gazeta 55

Intervista/Kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi

Ambasador i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi vlerëson nisjen e punës të komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke deklaruar se konsensusi i shprehur tashmë, duhet të konsolidohet më tej në mënyrë që të përfitohet produkti i vërtetë politik, që janë reformat. Në takimet e zhvilluara me personalitete të larta në Bruksel, në kuadër të një vizite zyrtare atje, Sequi tha se Brukseli kërkon realizimin e 12 pikave në mënyrë që Shqipëria të përfitojë statusin e vendit kandidat në BE. Sequi u shpreh optimist se lidershipi politik në Shqipëri, është në gjendje t’i përgjigjet detyrave të Bashkimit Evropian

Zoti ambasador, ju keni marrë pjesë në disa takime me përfaqësues dhe personalitetet të larta të të gjitha institucioneve të Bashkimit Europian. Cili ishte objekti i këtyre takimeve dhe a patët rastin që të diskutonit për Shqipërinë në to?
Kam marrë pjesë në takimin katër ditorësh që të gjithë ambasadorët e Bashkimit Europian kudo në botë kanë kryer me personalitete më të larta të Bashkimit Europian, si presidentin e Komisionit Europian Barroso, presidentin e BE-së, Van Roompoy, patëm një takim prej tre orësh me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Sigurisht që në këtë kuadër, kam pasur rastin që të flas për zhvillimet e fundit në Shqipëri. Shembulli më i freskët është takimi që pata me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Albertini, që shprehu kënaqësinë për lajmet e fundit mbi Shqipërinë. Kjo është dhe arsyeja pse nuk munda të marr pjesë në punimet e komisionit parlamentare në Shqipëri mbi reformën zgjedhore. Por më lejoni të them, se njoh kryetarët e këtij komisioni, janë ekspertë, vlerësoj mprehtësinë e tyre, lidershipin e tyre dhe gjithashtu mund të them, se anëtaret e këtij komisioni që janë ekspertë. Ndaj, mendoj, se kushtet për progres janë aty. Tani nevojitet angazhim dhe avancim i shpejtë i reformave.

Si tingëllon për ju që i njihni mirë palët, ky konsensus në Shqipëri? A mund Shqipëria t’ia dalë mbanë gjatë dhjetorit, janarit, shkurtit dhe marsit, pasi ne e dimë që nevojiten rezultate deri në mars?
Së pari, është e rëndësishme që të konsolidojmë këtë proces dhe ta vazhdojmë. Kam besim që do të ndodhë. Nevojitet zbatimi i 12 rekomandimeve që Shqipëria të përfitojë statusin e kandidatit.

Ne kemi dëgjuar dhe mesazhin e komisionerit Fyle për të ofruar jo vetëm statusin e kandidatit për Shqipërinë, por edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit nëse zbatohen dhe 12 rekomandimet. Sot u shpreh dhe baronesha Ashton për reformën elektorale. Mendoni se Shqipëria mund të marrë dy lajmë të mira njëkohësisht?
Kjo varet qartësisht nga shqiptarët. Një nga konceptet që kam për zemër është lidershipi shqiptar. Procesi drejtohet nga shqiptarët dhe me aq sa i njoh unë shqiptarët përgjatë qëndrimit tim dhe eksperiencës time në Shqipëri, mund t’ju them, se ata mund ta arrijnë këtë. Ajo që nevojitet janë rezultate konkrete dhe të besueshme, si dhe angazhim serioz. Ritmi i reformave mund të jetë i shpejtë, kjo gjë është e mundur, por sigurisht varet nga ju.

Ne kemi dëgjuar edhe një konstatim të Komisionit Europian për disa masa që janë marrë nga autoritetet e Shqipërisë lidhur me lëvizjen e lirë afatshkurtër të qytetarëve shqiptarë në zonën “Schengen”. A e keni trajtuar këtë problematikë në takimet tuaja?
Kam pasur rastin që të flas me shërbimet kompetente të Komisionit Europian mbi këtë. Është e qartë nga shkëmbimet që autoritete shqiptare po bëjnë përpjekje në këtë drejtim. Mjafton të shohësh korrespondencën që është zhvilluar autoriteteve shqiptare dhe Komisionit. Komisionit Dëshiroj që të përgëzoj punën që ministri i brendshëm Bujar Nishani është duke bërë. Mendoj, se receta e suksesit është tashmë aty.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›