Brukseli: 2012-a, viti i integrimit të Shqipërisë në Europë”

Nuk është as propagandë e as shpikje, por deklaratë zyrtare e komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Stefan Fyle. Në samitin e “Miqve të Europës”, duke përshëndetur lajmet e fundit nga Tirana, ai bëri thirrje për ritme të shpejta në reforma, pasi kishte mundësi që “viti 2012 mund të jetë përfundimisht viti i integrimit europian të Shqipërisë”
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle i drejtohet klasës politike në Shqipëri, me mesazhin konkret se anëtarësimi i Shqipërisë në BE, mund të marrë dritën jeshile vitin e ardhshëm, nëse realizohen me përpikëri 12 rekomandimet e Komisionit Evropian. Fyle inkurajon vijimin e dialogut politik mes PD dhe PS, për përmbushjen e reformave dhe detyrimeve që rrjedhin nga perspektiva e integrimit.
Edhe baronesha Ashton, përmes një deklarate për mediat bëri të ditur se “mirëpret takimin e parë të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Inkurajojmë të gjitha forcat politike të vazhdojnë punën e tyre në një mënyrë konstruktive në komision, për të gjetur konsensus mbi reformën zgjedhore në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme”, tha përfaqësuesja e Lartë për politikën e Jashtme të BE, Ashton.
Fyle: Viti 2012 rekomandim përveç statusit te kandidatit edhe hapjen së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë
Gjatë punimeve të samitit të përvitshëm për Ballkanin “Miqtë e Europës”, që mbahet në Bruksel, komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle deklaroi se “viti 2012 mund të jetë përfundimisht viti i integrimit europian të Shqipërisë”.
“Jam i inkurajuar nga konsensusi i arritur në Shqipëri për te realizuar një sërë reformash. I bëj thirrje mazhorancës dhe opozitës që të ruajnë këtë dialog politik konstruktiv dhe të krijojnë një momentim të ri drejt integrimit europian. 2012 mund të jetë përfundimisht viti i mundësisë për Shqipërinë”, u shpreh Fyle.
Nga ana e saj, ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu prezentë në këtë takim, ka përçuar mesazhin e besimit se forcat politike në Shqipëria kanë të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë me zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian deri në mars. Nëse arrihet zbatimi i 12 rekomandimeve, Fyle premton edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.
“Nëse zbatohen 12 rekomandimet, ne kemi mundësinë që të rekomandojmë përveç statusit e kandidatit edhe hapjen së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Nëse progresi nuk është aq i madh, do rekomandojmë së paku statusin e kandidatit. Nuk planifikoj tani, që të trajtoj këtë çështje përveçse në dhjetor të 2012, duke u shprehur paraprakisht në tetor gjatë shpalljes së progres - raportit. Por jam gjithashtu një nga ata që thonë, ‘kurrë mos thuaj kurrë’”, deklaroi komisioneri Evropian,
Stefan Fyle.
Samiti për Ballkanin ka nënvizuar se zgjerimin nuk mund të bazohet vetëm në kushtëzim, por duhet të nxisë optimizmin në Ballkan për integrim të shpejtë. Shqipëria ka kohë deri në mars për zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, pasi më vonë energjitë e politikës shqiptare do të shpenzohen tek presidenti i ardhshëm shqiptar dhe zgjedhjet e 2013.
Nën dritën e re të konsensusit politik në Shqipëri për agjendën europiane, eurodeputetë do të jenë të shumtë në Tiranë në 8 dhe 9 nëntor, pasi presin të shohin konkretisht bashkëpunimin e deputetëve shqiptarë për avancimin e vendit në reforma kyçe.