Ashton: Reforma Zgjedhore është prioritet kyç për integrimin të realizohet me konsensus

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton përshëndeti takimin e parë të Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore në Shqipëri, duke e vlerësuar këtë si hap pozitiv drejt kursit të reformave. Përmes një deklarate për mediat, shefja e diplomacisë Evropiane, Ashton bëri të ditur se “mirëpret takimin e parë të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Inkurajojmë të gjitha forcat politike të vazhdojnë punën e tyre në një mënyrë konstruktive në komision, për të gjetur konsensus mbi reformën zgjedhore në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme”, thotë përfaqësuesja e Lartë për politikën e Jashtme të BE, Ashton.
Ndërkohë, shefja e diplomacisë Europiane nënvizon se “reformimi i kuadrit legjislativ për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, është një nga prioritet kyçe të cilat duhen plotësuar që Shqipëria të shkojë përpara drejt objektivit të saj kombëtar për integrim në Bashkimin Europian”.
Sipas saj, reforma zgjedhore duhet të kryhet përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe duhet të ketë në bazë gjithë rekomandimet e bëra nga ndërkombëtarët, me qëllim përsosjen e praktikave të Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Inkurajimi i saj vjen një ditë pas deklaratës së bërë nga Komisioneri Evropian i Zgjerimit, Stefan Fyle, i cili gjithashtu ka vlerësuar pozitivisht punën e nisur nga partitë politike, për konkretizimin e ligjit të ri elektoral. Fyle tha se është i inkurajuar nga hapat deçizivë që po ndërmerren në Shqipëri, për të arritur një konsensus për reformën.
Ndërkohë të mërkurën u mblodh për të herë të parë, komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore, mbledhje kjo që u mbyll me përcaktimin e ekspertëve, Oerd Bylykbashki nga Partia Demokratike dhe Bledi Çuçi nga Partia Socialiste. Dy përfaqësuesit e forcave politike, do zhvillojnë takime në ditët e ardhshme, për të hedhur në letër amendamentet e para të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR.