Poetë holandezë në POETEKA
Elma Van HAREN
AFSH
I
Maj:
hekur i vakët mbi një kuvertë lulestolisur.
Merr masën e shuajve të shputave,
për këto pjesë të padukshme, që janë rrënjët e trupit,
dhe shijo për një çast shkëputjen nga toka...
Mushkëritë e tua tkurren në hapësirë,
duart kërkojnë ndjenjën për të peshuar rëndesën,
teksa shket lakuriqe mbi satenin e shtratit,
duke menduar një fytyrë gjatoshe të ngrirë, një fytyrë dhelpërake,
prekur veç një herë,
nga sytë e tij prej rrëqebulli -
Gjaku gufon
pas në këmbët e tua.
Një akrobat,
përherë kollotumbesh!
Aq papritur,
“ǒfat i rrallë!” të fluturosh larg
“A është e mundur?” dhe
“Mundësia” fillon të bulojë
prej kuvertës së shtratit dhe ajo gonxhe mëdyshëse,
ledhatuar prej puhisë së butë të majit, çelet mend si të thoshte
“Do të ndodhë, do të ndodhë”
dhe duke pritur për atë çast,
atë çast të vetëm,
pa bërë tjetër veç këqyr i këndellur,
durimin e bimëve që jepen kah dielli,
premtimin e teshës së nderur jashtë për tharje.
II
Në maj mijëra hithra të vdekura bënin dashuri nëpër natë.
Nuk linin shenjë përcëllimi,
si ato të shkërmoqurat e lirit në korrik,
të cilat dhe hekuri më i përvëluar
nuk i tendos e nuk i drejton dot.
Në kopshtin e korrikut një kaçubë i kërleshet një duzine
gishtash të mesëm zeshkanë të bërtasin:
Shporruni
Dhe gjithë ai zemërim maji, i tejpjekur,
në prag të kalbjes,
ka mbledhur në arteriet e zemrës
-gjithë ato pika të rënda ngjyralle për çka ke besuar vazhdimisht
duke pulsuar së largu...
Dita merr frymë me vështirësi mes diellit dhe perëndimit të tij.
Shih, shtogu!
Shtogu nuk do t’ia dijë ku hedh shtat,
kjo dukej e guximshme,
shumë e tepruar.
Por duke u rritur kudo,
shtogu,
rritet gjithkund!
Përktheu Arian Leka
Eva GERLECH
THËRRIME
Gjithë ç`është e tërë ne s`arrijmë ta shohim, është
tepër e madhe për ne, e papërputhshme, s`na
hyn në kokë
por çfarë është prerë, thërrmuar, copëtuar bërë thërrime,
grimcuar, bërë pure`, pluhur në erë, shpërbërë -
gjithë ç`është plasaritur ngjit për mirë në ne.
1998
NJERI I GJALLË
Ai është pra atje jashtë, një mizë qëndron mbi gjuhën e tij dhe
ai e pështyn, sheh në është e gjallë, e lë
të thahet në dorën e tij, me bastunin e tij prek gjithë
gjethet e verdha të manit, çdonjërën në rrotullim,
bien te këmbët e tij. Dhe sorra
nuk i ndahet.
Ti e do atë, ai nuk është kurrë më ai njeriu aty jashtë,
ti vetëm e ke pare atë dhe prapë: në asnjë kohë më parë
kaq përsosmërisht trajtësuar në dritë, njeri - në
jetë, gjithë ç`di për të prek tani
gjithë ç`të tijën sheh, atje mbi kërrusjen
e pikëpyetjes pema e manit
qëndron shkurtas përgjysmë e tejdukshme,
si e sheh, krejt fytyrën e tij
ngritur, trekëndëshin nën mjekrën e tij, me fytin
tej të prekshëm, lëkura atje
tani e tendosur - kurrë yti kështu, përveçse kur
brenda teje ndoshta harruar - ti e do atë, troket
në dritare, ai të sheh, miza që
ai hedh nga dora dhe në lartim fluturon.
2007
UDHA E SË VËRTETËS
Qenit tënd, shkruan ti, i pëlqen të të kundrojë në dush.
Qeni yt shkon me ty bregut të detit dhe ti pranon peshkun
që ai kap dhe ia hedh përsëri. Peshku nuk është
më ai që nxirret detit dhe nuk
do të jetë kurrë më i njëjti sërish, dhe as unë nuk jam, të të
njihja ty, për veten kurrëgjë e mirë. “Po lëviz
drejt një hapësire të zbrazët dalë
prej asaj që s`ish aty dhe gjithë luspat e mia
nuk mund të më mbrojnë dot.” Qeni yt nuk ka dije për
këtë lloj ngatërrimi. Parmenidi (gjithçka është
1 dhe e pandashme, çdo gjë ka ekzistuar gjithmonë
dhe nuk mund të jetë ndryshe) i drejtohet qenit tënd.
Ti dërgon një foto të qenit tënd, me putrat e përparme mbi
dritare ende ai hedh një sy brenda, gjymtyrët e tij ngrijnë
si të qëndronte për çfarë sheh, çka është
sigurisht çështja, kështu ai shkon
në atë që mendon dhe është, ka atë që mua më mungon.
Përktheu Baviola Shatro
Arjen DUINKER
DASHURIA E PARË
Dhe në barkun e anijes
Endjet historike të një gruaje të re
E cila në një nga ishujt Kanarie
Njohu një burrë të palumtur,
I cili mbijetoi falë eksportit të domateve të tij
Dhe këndoi për domatet e tij me këngë përlotjeje.
Dhe gruaja, i mësoi këngët për t’i bërë qejfin
Burrit,
Dhe gruaja, u dha domateve të tij
Një vend në jetën e saj...
Por burri u nxeh për këtë dhe tha:
“Kthehu te prindërit e tu, kthehu në rrugën tënde,
Gjej dikë që shëtit turistët,
Dikë që jep mësime tenisi, që mund të zhytet mirë
Ose që pëlqen të vërdalliset në një makinë flakëruese.
Domatet e mia nuk kanë të bëjnë hiç me ty.”
Dhe gruaja e re qëndron përditë aty ky ato
shkëlqejnë,
Shkëlqejnë së largu, dhe këndon këngë
Për të gjitha anijet e domateve
të cilat ajo nuk i sheh.
PËRRALLË
Dikur na ishte një bankier
I cili për arsye krejt të gabuara
Qe bërë një bankier.
Ai konsultonte, në etjen e vet
Për shfajësim të trishtë,
Një pemë molle, një kirurg zemre dhe një kuti.
Të tria njëlloj të trishta,
Tashmë kaq i kënaqur nga brenda
Që bankieri ndihej gabueshëm.
Tridhjetë e shtatë flutura
Dhe tridhjetë e shtatë shishe vere
Dhe tridhjetë e shtatë këllëfë jastëku
Dhe tridhjetë e shtatë bileta autobusi
Dhe tridhjetë e shtatë shufra ari
Dhe tridhjetë e shtatë zjarre
Dhe tridhjetë e shtatë gromësima më vonë
Ai rrinte shtrirë në hamaken e tij
Për tridhjetë e shtatë arsye.
Përktheu Erion Kristo
Erik LINDNER
TRAMONTANA
Larg bregut zhytësi çlodhet në rrëfimin e tij
ngadalë gërryhet shkëmbi pas bregu.
Era ndal rrëfimin, fërkon e gërryen
Gjethet shkund prej rrapit – korniz’ e dritares.
erën kisha pas gjatë kësaj historie.
Udhëtimin e rrëfente burri teksa kalonte malin
dhe tregimi tatëpjetën merr poshtë në det. Era
si zonjë e rëndë rri mbi varr të tij. E zhytësi, zënë në grackë
mes gurësh, shfaqen ndihmësit
dhe era ngre dallgë e det.
Portretin e zhytësit era flak larg bregut.
Shkëmbi lulëzon. Dhe varri veç një hap
larg koralit në fund të shpellës është
Përtej ngjyrave të gravurës të mbulesës me lule.
NË ACEDIA
1. Ajo është sapo sheh atë.
(Një vështrim i shpejtë
me bisht të syrit.)
Arkëz nën këmbës e tij të djathtë.
Xhaketë mbi krah.
Ai pyet: e ka përshkuar vallë dora e saj këtë?
Dhe ulet mbi arkëzën e ngritur.
Një dorë digjet mbi barkun e saj
e dora tjetër përvëlohet mbi
gomën e përndezur nga dielli.
Ajo lehtë fshin buzët prej pështymës.
Dritën e diellit mbi xhaketën e tij prek.
2. Kur mbi gjunjët e saj një filtër cigare
futet si në të çarën e shkrepëses,
puthit dorën mbi jakën V të bluzës.
Mollëzat e gishtave mes kockave të gushës.
Karficëz mbi xhaketë. (Qumësht projektori.)
Çorape shiritndritshëm veshur. Gishti shpohet nën karficë.
Ngërdheshje mes shfryrjes së hundëve nën shami.
Asgjë s’i shpëton asaj.
Askush nuk shpëton prej saj.
Mbulesë pa asnjë dantellë.
Bukë që s’gjen furrë.
3. Besoj se këta zogj janë të duhurit për një udhëtim si ky
thotë ajo dhe mbi parmak
dora e saj fsheh mbishkrimin.
Grykët kish mbuluar me një rrobë
Tualeti ish i një dite më parë.
Një shkulm ere dhe veshët zhbllokohen.
Goja e tij radhë ngjërohet
me gjepura të kota.
Zogjtë përplasen mbi kornizë.
Përktheu Silvana Leka
Helene GELENS
belbëzoj emrin
lehtë frymoj brenda dhe jashtë, frymoj brenda
dhe jashtë, mendoj për emrin bartës, brenda dhe jashtë
brenda e jashtë, i qëlluar, brenda dhe emrin them pa zë të lartë
shfryj për emrin, përpiqem të shfryj
për emrin sa për të thënë, pikërisht kështu:
shfryjshfryj, shfryj për emrin, shfryjshfryj
jo nuk kollitem, zemëruar shfryjshfryj, nuk kollitem
marr frymë lehtë brenda dhe jashtë, marr frymë brenda
e jashtë, nuk kollitem, marr frymë marr frymë
gulçoj për të marrë frymë si për bartësin e emrit
shfryj për të marrë frymë, përpiqem të shfryj
për të frymuar, e ti prapë ke për të belbëzuar, shfryj! shfryj!
diçka tjetër
vetëm nëse nuk do i shkruaja poezitë e mia kaq ngadalë
do t’ju rrëfeja se një burrë tha:
këtu ngjitur me mua është një grua e panjohur
emrin s’po ia zë me gojë – dua t’ju rrëfej
se gruaja ia ngul dhëmbët burrit mu në fyt
në kalim e sipër atë e bren ndërgjegjja
pse ai kërkon shoqërinë e saj:
kërkon të grindemi? dhe e ndjell sërish goja
Duhet të isha aty që t’ju rrëfej sa ngrohtë
ndeshen sytë tanë - sa etshëm
qafa, goja
duhet të isha aty t’ju rrëfej sa shumë
dashuri futet në brerje – sa hijshëm
joshej nga ju
duhet t’ua thosha në kohë
se po shoh një betejë dhe vërtet atë kam parasysh
por e shkrova poezinë time ngadalë
e ju tregoj diçka tjetër nga ajo që duhet t’ju tregoja
Përktheu Silvana Leka
22 Shtator 2008