E Diel, 1 Nëntor 2026

Rivalitetet globale mbi energjinë dhe interesat shqiptare ne Ballkan

Kërkesat vazhdimisht në rritje për energji dhe mundësitë gjithnjë në zvogëlim të përmbushjes së këtyre kërkesave, po e diktojnë urgjentisht domosdoshmërine e veprimeve jo vetëm politike për sigurinë dhe vënien e kontrolleve mbi burimet energjetike. Kjo garë po e riformëson politikën globale, po e ndryshon natyrën e rivaliteteve dhe dominimeve gjeostrategjike dhe krijon apo prish aleanca të ndryshme. Pasja dhe vënia nën kontroll e burimeve të energjisë dhe vendeve tranzitore për bartjen e saj, po bëhen politika prioritare nacionale të shteteve të ndryshme anekënd botës, por edhe kushte jetike mbi të cilat sendërtohen bashkëpunime ndërshtetërore dhe të tjera. Siguria nacionale, prosperiteti, mbase edhe paqa jo vetëm nacionale, po varet gjithnjë e më shumë nga pasja dhe kontrolli i burimeve energjetike. Mungesa e sigurimit të energjisë po kërcënon ekonomitë, por edhe pavarësinë e vendeve më të industrializuara dhe me traditë të gjatë mëvetësie ekonomike. 

Brenda dy dekadave, Kina ka shumëfishuar nevojat e veta për energji, India gjithashtu, ndërkaq “pavarësia energjetike” shprehje kjo e ish-Presidentit amerikan Nixon, për SHBA-të nuk është më realitet dhe pa gjasa për t’u rikthyer aty. Edhe një tjetër forcë, Federata Ruse, nuk është pa probleme, por ajo në këtë aspekt, vazhdon të jetë e veçantë. Buxheti i Kremlinit në shumën prej mbi 30% sigurohet nga eksporti i energjisë. Sipas shumë politikanëve dhe analistëve, Rusia, pasi futi nën kontroll shtetëror kompanitë e mëdha energjetike, tani energjetikën e kthen në armë politike, për ta restauruar influencën e saj e mbase edhe kontrollin në ish-vendet sovjetike dhe më gjerë. Kompania shtetërore e gazit “Gazprom” është shembulli tipik për këtë.  

Evropa në hall/Nga krejt kjo, Evropa nuk është aspak e përjashtuar. Gjermania p.sh. 44% të energjisë që e shpenzon e importon nga Rusia, nëse rusët kanë sukses me planet në shtetet baltike, prej nga kjo varshmëri gjermane do të rritet në 80 %. Britania dhe shumë vende të tjera të Evropës, që të mbrohen nga kjo varshmëri jo vetëm ekonomike, përsëri marrin në konsiderim ndërtimin e centraleve bërthamore dhe alternativat e tjera për prodhimin e energjisë. Në gjithë Evropën nuk ka dyshim se sigurimi i energjisë do t’i bëjë ata edhe më të varur nga Rusia. Çështja është se si ajo t’i koordinojë qasjet ndaj politikës energjetike të Rusisë. Kryeministresha e Ukrainës Julia Timoshenko, një proevropiane dhe kundërshtare e asaj që ajo e kualifikon, rirreshtimi i imperializmit energjetik rus, bën thirrje që urgjentisht Evropa të ketë qasje të përbashkët e të koordinuar ndaj kësaj ambicieje ruse. Ajo vëren e brengosur se europerëndimorët janë gjithnjë e më pak të zëshëm në kritikat ndaj rusëve për shkeljet ndërkombëtare që i bejne ata, p.sh. mosparticimi ne kritikat qe i behen kërcënimit nuklear të Iranit. Mbase ky hezitim i shteteve të ndryshme evropiane, bëhet që te rusët të mos ketë hatërmbetje e cila mund të reflektohet jo mirë në lidhjet e kontratave të tyre energjetike me Rusinë. Përkundër kësaj BE dhe Uashingtoni po dizajnojnë gjithanshëm vetëmbrojtje energjetike. Është qëndrim i përbashkët se importimi nga Rusia që bëhet me kompaninë “Gazprom” (tubet e gazit kalojnë përmes Rusisë - Deti i Zi - Bullgari pastaj thellë në Evropë) duhet të reduktohet deri në anashkalim të plotë, duke i dhënë përparësi të vazhdueshme variantit “Nabucco” e cila qëllimisht anashkalon Rusinë (Azia Qendrore - Turqi - Bullgari - Rumani). Monopolizmi i “Gazprom” duhet të shpërbëhet, nuk hezitojnë evroperëndimorët edhe ta thonë, sepse kanos sigurinë jo vetëm energjetike të BE-së. E vetëdijshme për këto e posaçërisht për hallin jo të vogël energjetik të Gjermanisë të cilës i duhet me shumicë, një tjetër zonjë, kancelarja gjermane Merkel propozon krijimin e “ tregut të përbashkët energjetik” për të vënë kështu rregull dhe kontroll, për të vepruar në mënyrë unike me ç’rast Evropa mund të zvogëlojë dhe anashkalojë ndikimin rus.  

Ankorimi energjetik i Rusisë në Serbi/Përkundër kësaj përpjekje të evropianëve ndaj politikës energjetike të Rusisë, konkretisht të tubave të gazit të kompanisë “Gazprom, dhe përkundër deklarimeve të qeverisë serbe se Serbia nuk ka alternativë tjetër veç se vlerat evropiane dhe hyrjen në BE, ajo ka lidhur një kontratë të madhe energjetike me Rusinë të cilën e kishte filluar Koshtunica dhe e përfundoi Tadiç. Me këtë “Gazprom” merr nën kontroll 51% të petrolit serb me një çmim të lirë, dhe për kompensim tjetër, që tubat e gazit të tij të kalojnë edhe kah Serbia (rreth 400 km). Kështu me ndihmën e Serbisë, “Gazprom“ dhe Rusia pozicionohen edhe më mirë e forcohen edhe më shumë për ta varësuar Evropën. Kjo është saktësisht politikë antievropiane, konkretisht politikë proruse e Serbisë. 

Ditë më parë në Novi Sad, u mbajt samiti i radhës i vendeve të Evropës Qendrore me moton “energjia, ekonomia, integrimet”. Këtë takim shumëpalësh e shfrytëzoi Tadiç, së pari duke rrahur gjoks se ai mblodhi 14 vende evropiane në Novi Sad (me te drejte presidenti Bamir Topi e bojkotoi këtë samit sepse nuk ishte ftuar presidenti Fatmir Sejdiu) e pastaj duke aluduar se Serbia po bëhet forcë energjetike e rajonit. Hyrjen e përshpejtuar në Evropë - bazuar në atë çfarë ka thënë Tadiç në fjalimin e tij drejtuar liderëve të 14 shteteve - e mbështet në faktin se Serbia po bëhet atraktive për Bashkimin Evropian në aspektin energjetik, duke u bër lider i Ballkanit Perëndimor dhe vendi më i përshtatshëm transicional për energji. Evropianët e dinë se është e padiskutueshme se në këtë proces Serbia do të ndihmohet edhe më nga Rusia interesat vitale të së cilës janë që sa më shumë t’i afroj gypat e saj të gazit në Evropë. A do t’i ndihmoj vërtetë kjo Serbisë në rrugëtimin për Evropë? A do të nxjerrë Serbia përfitim si nga Rusia për t’u bërë forcë energjetike, në njërën, e për rrjedhojë edhe për t’u ndihmuar nga Evropa, për t’u integruar më shpejt, në anën tjetër? A do të mundohet BE-ja të vazhdojë edhe më, ta marrë me të mirë Serbinë, sepse kështu duke e pasur Serbinë nën kontrollin integrues do ta kontrollojë pjesërisht edhe monopolin energjetik të Rusisë apo ndoshta Serbia preferon të vazhdojë me politikën e saj te njohur dualiste perëndim – lindje, të gjitha këto mbetet të shihen. 

Kosova të pavarësohet energjitikisht, i duhet Shqiperia/Ka kohë që Kosova është në krizë energjetike. Territori i saj nuk përshkruhet nga gypat e gazit në asnjërën variant as të ‘Gazprom’ as të ‘Nabucco’ edhe pse ato kalojne afer. Gjithsesi “Gazprom” duke ia rritur vlerën Serbisë me tubacionet e gazit që e përshkruajnë atë, bëhet kërcënim energjetik për Kosovën. Kosova nuk ka as edhe naftë. Ndërkohë që fqinji i saj verior e ka 51% të naftës tashmë nën kontrollin rus. Por Kosova ka thëngjill. Problemi është se nuk ka kapacitet të mjaftueshëm që ta shfrytëzojë atë. Duhen mjete të cilat ajo nuk i posedon. 

Përmbledhtazi, Kosova nuk është në pozitë të lakmueshme në asnjë aspekt nga këto alternativa energjetike që i përmendëm dhe se e ardhmja energjetike e saj nuk është e ndritshme. Situata e tillë imponon veprime të menjëhershme e të guximshme, por edhe plane të studiuara mirë. Për ekonominë e Kosovës dhe jo vetëm për të, larg më e rëndësishme se vazhdimi i rrugës Durrës - Morinë do të jetë përvjelja e mëngëve dhe ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”. Për Kosoven ky është shpëtimi, kjo është rrugëdalja. Ky duhet të jetë prioritet i prioriteteve të Qeverisë së Kosovës. Në përmasat e njëjta, sikundër është gjeostrategjikisht i rëndësishëm ndërtimi i rrugës kombëtare Durrës – Kukes, sikundër është e rëndësishme ushtarakisht “Kampi Bondstil” ashtu për ekonominë e Kosovë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e saj, është i rëndësishëm ndërtimi i termocentrali “Kosova e Re”. Kredite e para nga institucionet ndërkombëtare financiare, pjesë e të cilave u bë keto ditë Kosova, duhet t’i drejtoj thjeshtë në energjetikë. 

Dhe kjo nuk është e tëra, sepse nuk do të jetë plotësisht e mjaftueshme. Çështje tjetër vitale është bashkëpunimi energjetik me Shqipërinë. Ky duhet të jetë prioritet tjetër i domosdoshëm i cili duhet koordinuar mirë që ta përforcojmë mëvetësinë tonë energjetike. Kjo gjithashtu mundëson që duke e krijuar një treg të përbashkët kombëtar energjetik të mos mbështetemi vetëm në një lloj burimi, por ato të jenë të diversifikuara, parakusht ky që shton pavarësinë dhe stabilitetin energjetikë. Shqipëria ka marr në shqyrtim kohëve të fundit ndërtimin e nje centrali bërthamor në Shkodër. Mbase është herret të thuhet diçka për këtë projekt të madh, por nuk do të ishte keq që Kosovës, në një ose mënyrë tjetër, t’i mundësohet të jetë pjesëmarrëse në te, sigurisht nëse ai merr dritën jeshile. 

Autori i shkrimit është politikolog nga Prishtina, autor i veprave “Dimensionet e identitetit qytetërues” dhe “Rezistenca dhe e mundshmja shqiptare” 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›