E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Korpusi i vullnetarëve" pastron plazhin e Shëngjinit

Moti i keq i mëngjesit të së shtunës, nuk i ka penguar anëtarët e "Korpusit të vullnetarëve" t‘i drejtohen një tjetër destinacioni të rëndësishëm turistik të Shqipërisë. Stacioni i radhës ka qenë plazhi i Shëngjinit, ku dhjetëra vullnetarë kanë organizuar një aksion për pastrimin e zonës nga mbeturinat.

Shëngjini është një nga plazhet më të mira të Shqipërisë, me rërë kurative dhe ujë të pastër, por si kudo në bregdetin shqiptar, edhe këtu mbeturinat kanë pushtetin e tyre. Ca të sjella në breg nga dallgët e detit dhe ca nga pushuesit që pasi shfrytëzojnë këto brigje, lënë aty gjithçka që nuk u nevojitet me, mbeturinat kryesisht plastike dhe sende të tjera krijojnë një panoramë aspak joshëse për turizmin. Dhjetëra të rinj e intelektualë nga Tirana, Lezha dhe Shkodra, si dhe nëpunës të Komunës së Shëngjinit iu përgjigjën thirrjes së Forumit të Mendimit të Lirë për t‘u bashkuar me "Korpusin e vullnetarëve". Pas disa orësh pune, e gjithë zona e shfrytëzueshme turistike e Shëngjinit ka qenë tërësisht e pastër. Shëngjini është destinacion turistik mjaft i preferuar jo vetëm për banorët e Lezhës dhe atyre të zonës verilindore, por dhe për pushuesit kosovarë, të cilët çdo vit i drejtohen këtij plazhi për të kaluar pushimet verore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›