E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riza Malaj, jeta pas hekurave e njeriut të gjymtuar

 

Fatos Mahmutaj

Për të shkuar në qelinë e Riza Malajt duhet të kalosh fillimisht të vetmen portë hyrëse të regjimit të brendshëm në burgun e Zaharisë së Krujës. Pas zhurmës gërvishtëse të hekurave të del para një korridor në fund të së cilit ndodhen tre dyer; drejt për vazhduar në katin e dytë; majtas për të zbritur poshtë në të parin; ndërsa djathtas për t'u ngjitur në katin e tretë.  Vazhdojmë drejt, duke kaluar disa porta të tjera të hekurta, ngjitur e zbritur shkallë, kthesa majtas e djathtas, derisa në fund të labirintit, në sektorin "2" të burgut, sapo kthehesh majtas, dallon derën gjysmë të hapur të qelisë së 41-vjeçarit nga Tropoja. E pra, gjëja që të bie në sy sapo kalon pragun e qelisë është krevati metalik dy katesh që ndodhet aty. Poshtë ndodhet dysheku dhe batanijet me të cilat fle i dënuari me 11 vjet burg, ndërsa krevati sipër është kthyer në magazinë ushqimore për të dënuarin, i cili kishte vënë aty gjithë ushqimet e tepërta që nuk ia nxinte frigoriferi. Aty sipër shihje një qese me sheqer, një tjetër me kafe, bukë e prerë në feta, perime, enë të lara dhe palara, petrogaz etj. Në fund të qelisë, ngjitur me dritaren shohim Rizain të kthyer me kurriz nga dera, i veshur me kanotiere rozë, tuta sportive dhe shapka. Në kokë mbante kufje të mëdha, të cilat i kishte lidhur me televizorin dhe po dëgjonte lajmet e mesditës. Nuk shqetësohet aspak nga prania jonë, pasi nuk arrin të dëgjojë as zhurmat dhe as të na shihte. Që të kuptonte vizitën, u desh ta prekte te supi, një i burgosur që na shoqëronte, i cili më pas do të bënte rolin e përkthyesit. Sapo kthehet me pamje nga ne vëmë re se dorën e majtë Rizai e ka të prerë te kyçi, ndërsa të djathtën te bërryla. Ka humbur rreth 90% të dëgjimit dhe shikimit, si dhe ka të dëmtuar tërësisht fytyrën, gjoksin dhe krejt pjesën e përparme të trupit...
Zoti Malaj, pse ndodheni në burg?
Jam dënuar 15 vjet burg, por katër vjet m'i hoqi Apeli dhe më mbetën 11 vjet burg. Kam pas edhe një dënim nga Apeli i Shkodrës, i cili u bashkua me këtë të Krimeve të Rënda. Tani më kanë mbetur edhe 9 vjet e gjysmë burg. Prej shtatë muajsh ndodhem në këtë burg këtu.
Me kë rrini në qeli?
Jam vetëm. Nuk më futin në qeli me njeri tjetër kjo për shkak se unë nuk kam mundësi të mbrohem apo të veproj. Kështu që sipas ligjit mbahem i vetëm në qeli.
Kush t'i bën punët e qelisë?
Kurrkush. Vetë. Kur kam nevojë për diçka si për shembull prerja e thonjve, apo diçka tjetër m'i bën ndonjë i burgosur. Kjo qeveri po i trajton dhe gjykon njerëzit sipas bindjes politike. Unë jam i deklaruar socialist dhe nuk jam pishman asnjë fije, që jam deklaruar i tillë. Këtë e kam deklaruar publikisht edhe në televizion. Jam kundër Sali Berishës dhe që kur më lanë në burg jam kundër Partisë Demokratike. Kur Berisha erdhi në Tropojë kur ishte në opozitë më tha se do m'i hiqnin akuzat kur të vinin në pushtet, por sapo erdhën në pushtet, jo vetëm që nuk më hoqën akuzat, por më lanë edhe në burg. Veç për bindje politike ma ka hedh poshtë Gjykata e Lartë ankesën.
Kur hymë ne në qelinë tënde, çfarë po bëjë?
Po dëgjoja lajmet në televizor.
Kush të gatuan?
Këta të shtetit (burgut) more më gatuajnë. Edhe bukën këta ma sjellin.
Ushqimet që shohim këtu, të kanë ardhur nga shtëpia?
Po.
I respekton vaktet e ushqimit?
Mëngjesin dhe drekën po, ndërsa darkën e ha shumë herët. Ndodh që e ha darkën në orën 18:00, rrallë herë e ha në 20:00.
Kryesisht, ushqimin e përditshëm jua sjell familja apo merrni nga burgu?
E blej në dyqanin e burgut. Marr edhe ushqimin që gatuhet për të burgosurit.
Si është ushqimi i burgut?
Për burgun nuk duhet të ankohem, pasi nuk është hotel ku të vish nga qejfi. Ushqimi është i mirë dhe i bollshëm.
Si i ke punët me administratën dhe drejtuesit e burgut?
S'kam asnjë problem me administratën e burgut. Ç'faj ka administrata pse unë jam këtu në burg?! Të hapin dhe të mbyllin derën, kaq kanë për detyrë këta.
A të vjen familja?
Vijnë, vijnë çdo muaj. Më marrin edhe rrobat për t'i larë, se nuk mund t'i laj vetë.
Sa fëmijë ke?
Kam dy fëmijë, një djalë e një çikë, 8 e 7 vjeç.
Të vijnë familjarët e tjerë në takim, po bashkëshortja dhe fëmijët?
Jam ndarë me bashkëshorten. Vëllai vjen dhe më bie fëmijët.
Ku jetojnë fëmijët?
Jetojnë në Tiranë me ish-bashkëshorten time. Do rrinë atje derisa të dal unë, se kur të dal unë do i marr fëmijët.
Në cilin burg ke pasur kushte më të mira?
Këtu janë kushte më të mira sesa te spitali i burgut. Atje te spitali i burgut qëndroja i mbyllur tërë ditën. Ndoshta e bëjnë që të mos kërkojnë të burgosurit për të shkuar atje, por të ikin sa më shpejt. T'i bëjnë kushtet mizerabël. Shumë vonë mezi më lejuan një televizor. Është spital më thoshin, nuk lejohet kurrgjë. Po këtu more u thashë duhet lejuar gjithçka ngaqë është spital, por nuk më dëgjuan. Ku janë Avokati i Popullit dhe institucione të tjera që flisnin për drejtësi dhe tashmë që kanë shumë gjëra në dorë nuk bëjnë asgjë! Le ta shohin dosjen time, ku është bazuar gjykata që më ka dhënë mua 15 vjet burg. Akuzohem për armëmbajtje pa leje, se më janë kapur armë. Akuzohem për plagosje dhe tentativë vrasjeje në mënyrë absurde. As kam vrarë dhe as kam plagosur kënd. Policët dëshmitarë thonë që Rizai ka gjuajtur në ajër dhe ka ikur me vrap, prokurori thotë që ka qëlluar drejt. Shih sa absurde është?! KLD-ja le ta marrë dosjen time dhe të shohë me kujdes dhe të shohë ku janë faktet mbi të cilat është bazuar gjykatësi që më ka dhënë 15 vjet burg. Apo fakti është se Rizai është përkrahës i Partisë Socialiste dhe: O burra të dënojmë! Jam socialist dhe nuk jam hiç pishman edhe sikur të kalbem në burg. Dhe do jem socialist të gjitha herët. Me parti hajnash (hajdutësh) nuk rri dot unë. Tërë vjedhësit e Republikës janë mbledhur rreth PD-së. Sa herë mbeten pa lekë dalin në miting dhe protesta për PD-në.
Ka qenë një kohë, kur gjatë procesit gjyqësor fitove lirinë, për çfarë e shfrytëzove këtë kohë? A u mjekove?
Sapo shkova në Prishtinë duke ik për Beograd dolën në televizione dhe thanë: "U arratis". Mu desh të kthehesha edhe njëherë. Isha nisur për në Beograd ku do merrja mjekime për sytë. U bë alarmi për arratinë time dhe kështu që mbeta pa u kuruar. Unë në fakt jam arratisur vetëm njëherë në kohën e komunizmit në vitin 1984 kur isha vetëm 16 vjeç. Çfarë arratisje do bëja unë në vitin 2007!?
Në '92 je kthyer në Shqipëri, me çfarë je marrë derisa u plagose?
Kur u ktheva në '92 qëndrova rreth një muaj nëpër Shqipëri, pashë që situatën e morën sërish komunistët në dorë. Ika dola sërish jashtë nëpër Evropë. Punova herë atje dhe herë këtu, deri në vitin 2000. Kur u ktheva u ngatërrova me demonstratat e Partisë Demokratike. Më shpallën në kërkim. Mbeta për katër vjet në kërkim, derisa në 2005 erdhi në pushtet PD.
E mban mend momentin kur të plasi dinamiti?
Po si nuk e mbaj mend. Njëherë më ka plas dinamiti! Nuk e kam parë kur e ndeza fitilin me cigare. Nuk e pashë që kishte marrë zjarr, e afrova te goja për t'i fryrë. E kisha prit një orë të ndizej dhe gjithmonë po mendoja se nuk ishte ndezur, kur plasi.
Keni bërë kërkesë për lirim për shkaqe shëndetësore?
Po kam bërë, por s’po më lirojnë. 
Na përshkruaj një ditë tënden në qeli?
Çfarë t'ju them sillem gjithë ditën nëpër dhomë.
Në ç'orë zgjohesh në mëngjes?
Tani çohem ca si vonë pasi pi ilaçe për gjumin. Kjo për shkak se më oshtin koka nga zhurmat, pasojë e tritolit. Kështu që detyrohem të marr ilaçe për gjumë. Pastaj rri gjithë ditën në televizor deri në mesnatë, ashtu siç isha kur më gjetët.

Riza Malaj, shqiptari që shërbeu si marins në SHBA
Riza Malaj, aktualisht 41 vjeç, i cili ka humbur të dyja duart dhe thuajse tërësisht shikimin dhe dëgjimin u plagos nga shpërthimi i një kallëpi tritol në dorë më 6 prill të vitit 2004, teksa gjuante peshk në lumin Valbonë. Vetë Malaj tregon se në moshën 16 vjeçare, në vitin 1984 është arratisur nga Shqipëria komuniste për të përfunduar në Nju Jork të SHBA. "Atëherë isha 16 vjeç. Ishte gjallë xhaxhi Enveri (Hoxha). Më 11 prill të vitit 1985 ndodhesha në Nju Jork, ku mora vesh nëpërmjet televizionit vdekjen e tij. Këta që hiqen sot si demokratë, i shihja në televizor kur qanin për vdekjen e Enverit. Kot hiqen si demokratë ish-sekretarët dhe gjeneralët e '97-ës: kujton Malaj nga ajo kohë. Më tej, ai pohon se ka qëndruar 8 vjet në SHBA, prej '84 deri në '92 kur u kthye në Shqipëri. "Mendova se edhe vendi ynë u hap e u bë njëlloj si Amerika dhe se nuk do kishim më nevojë për Amerikën. Por këtu e gjeta më skandal nga ç'e lashë", tregon 41 vjeçari tropojan. Po kështu ai tregon se në SHBA ka punuar saldator, ndërsa me nostalgji kujton kohën kur për pak kohë ka shërbyer si marins në ushtrinë amerikane. "Ishte kohë tjetër. Ka qenë një histori e shkurtër", përfundon Malaj rrëfimin për jetën në arrati në SHBA.  f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›