UNMIK: Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë do të anulohen
Zgjedhjet serbe të 11 majit po afrojnë dhe UNMIK-u vazhdon të deklarojë se nëse zgjedhjet lokale serbe do të mbahen në Kosovë ato do të anulohen. “Ne kemi qartësuar pozicionin tonë në Beograd. Ato janë të paligjshme dhe nëse mbahen do të shpallen të pavlefshme. Mirëpo theksojmë se vendimi për zgjedhjet lokale duhet të tërhiqet, ndërsa sa i përket zgjedhjeve parlamentare, mbetet pozicioni i njëjtë, ne as nuk do të ndihmojmë dhe as nuk do t”i pengojmë ato”,-është shprehur zëdhënësi i UNMIK-ut Rasel Kiki, i cili megjithatë nuk ka saktësuar se cilat do të jenë masat që do të ndërmarrë UNMIK-u për të ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Përfaqësuesit e partive politike serbe janë duke zhvilluar fushatën zgjedhore. Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, ka bërë fushatë zgjedhore në Kosovë. Gjatë vizitës së tij në Graçanicë ku ka sjellë ndihma humanitare për pakicën serbe ai u ka bërë thirrje pakicës serbe të votojnë për kandidatët pro perëndimorë në zgjedhjet parlamentare por edhe në ato lokale të Serbisë që do të mbahen më 11 maj. Shutanovaç theksoi se aftësia e Serbisë për të mbrojtur pakicën serbe në Kosovë do të jetë më e vogël nëse nuk mbështeten forcat properëndimore që mbështesin integrimin në Bashkimin Europian.
Serbët e Kosovës tradicionalisht kanë votuar për forcat radikale.
Serbët e Veriut të Mitrovicës janë të bindur të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë duke synuar në këtë mënyrë që nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje të mundësojnë kthimin e Kosovës nën sovranitetin serb. Shumë nga banorët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës kanë vendosur tashmë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale serbe, që pritet të mbahen këtë të diel edhe në Kosovë. Pavarësisht qëndrimit të UNMIK-ut, se këto zgjedhje nuk janë të vlefshme pakicat janë të mendimit se administrata e OKB-së duhet të respektojë vullnetin e serbëve të Kosovës. Zgjedhjet lokale dhe parlamentare, përmes një deklarate i ka kundërshtuar edhe Kuvendi i Kosovës. Qeveria kosovare për shkak të respektimit të parimit të dyshtetësisë mban një qëndrim neutral rreth zgjedhjeve nacionale, por i kundërshtojnë ato lokale. Pothuajse të gjitha subjektet politike në Beograd, rikthimin e sovranitetit mbi Kosovën e kanë vënë në fokus të fushatës elektorale. Ndërkohë, vetë rënia e qeverisë ka qenë rezultat i kundërthënieve për Kosovën i partnerëve qeverisës. Analistët kosovarë vlerësojnë se në rast se Serbia nuk heq dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, në aspektin praktik në mjediset serbe do të krijohet një konfuzion rreth administrimit të pushtetit lokal, ndërkaq nga pikëpamja politike, do të jetë ndërhyrja e parë e një shteti tjetër në punët e brendshme të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së saj.
Lituania njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës
Parlamenti i Republikës së Lituanisë ka marrë dje vendimin për njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur. Ky parlament gjithashtu i ka rekomanduar qeverisë së këtij vendi që të fillojë procedurën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Lituanisë dhe Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, presidenti i Lituanisë inicioi procedurën parlamentare për njohjen e Republikës së Kosovës.
6 Maj 2008