E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina kundër akuzave të HRW, Sejdiu: “Lufta e Kosovës, e drejtë”



Prishtina zyrtare ka hedhur poshtë akuzat e përsëritura të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights
Watch” për rrëmbime të serbëve në Kosovë dhe transferimin e tyre në Shqipëri. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke komentuar raportin e fundit të kësaj organizate, i cili u bën thirrje Shqipërisë dhe Kosovës të kryejnë “hetime të pavarura dhe transparente” për zbardhjen e fatit të serbëve të humbur pas luftës në Kosovë, tha se lufta çlirimtare në Kosovë ka qenë e luftë e drejtë për liri e pavarësi. “Unë mund të them se lufta çlirimtare në Kosovë ka qenë luftë e drejtë dhe s’mund të jap asnjë përgjigje tjetër”,-theksoi Sejdiu. “Unë besoj në luftën e drejtë të UÇK-së dhe të gjithë njerëzve të Kosovës që e kanë bërë për liri dhe pavarësi, dhe ato që thuhen në një formë apo në një tjetër, mund të jenë vetëm tentime për të penguar procesin nëpër të cilin po kalon Kosova”,-shtoi Sejdiu. Ai u shpreh se nëse do të kishte prova të tilla, ato duhet të ishin paraqitur më herët. “Ashtu siç është shprehur edhe ministrja e drejtësisë, Nekibe Kelmendi, nëse ke dijeni për një provë dhe një vepër të kryer, e nuk e lajmëron atë, përbën një vepër penale”,-u shpreh Sejdiu.
Akuzat janë ngritur në librin kontradiktor “Gjahu” të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte ku thuhet se 300 serbe kryesisht civilë janë rrëmbyer nga UÇK-ja në kohën e luftës së vitit 1999 dhe janë dërguar në Shqipëri ku janë vrarë dhu u janë marrë organet për t’i shitur.

Shrëder: “Njohja e pavarësisë së Kosovës, hap i gabuar i BE-së”

“Njohja e pavarësisë së Kosovës ka qenë hap i gabuar, në kundërshtim me interesat e vendeve europiane”. Kështu ka deklaruar ish-kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, në një intervistë për mediat ruse. Sipas tij, Kosova ka mundur të fitojë shtetësinë duke hyrë bashkë me Serbinë në Bashkimin Europian. “Jam i mendimit se njohja e pavarësisë së Kosovës ka qenë një hap jo i drejtë, pasi është bërë para kohe. Në thelb, duke e njohur Kosovën, shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe SHBA-ve, në vend të zgjidhjes së problemit vetëm sa kanë krijuar shumë probleme të reja”,-vlerësoi Shrëder. “Nëse flasim hapur, në këtë rast BE-ja në mënyrë të shkujdesur i është nënshtruar presionit amerikan. Kjo zgjidhje, ndoshta, ka qenë në interes të Amerikës, por jo edhe të Europës”,-ka shtuar ai. Sipas Shrëder, Kosova ka mundur të hyjë në BE në kuadër të Serbisë, ose ka mundur të formohej shtetësia e pavarur e Kosovës gjatë hyrjes së përbashkët të Serbisë e Kosovës në BE”.

17 vende europiane pro liberalizimit të vizave për Serbinë

Shtatëmbëdhjetë vende europiane kanë rënë dakord për të lehtësuar dhënien e vizave falas për shtetasit serbë, me qëllim mbështetjen e “vokacionit europian” të këtij vendi, sipas një komunikate të bërë publike dje nga Ministria franceze e Punëve të Jashtme disa ditë para zgjedhjeve legjislative serbe. Ky vendim i përgjigjet thirrjes së Komisionit Europian dhe presidencës sllovene të BE-së për “një shenjë të vullnetit të mirë të të gjithë Bashkimit Europian”, vëren komunikata. “Përveç mbështetjes që ne i japim Serbisë për ta ndihmuar të afrohet me Bashkimin Europian, kemi vendosur të shfrytëzojmë fleksibilitetin e përdorur nga Komisioni Europian, me qëllim dhënien e vizave falas për të gjithë kërkuesit individualë, për të cilët ekziston mundësia, në përputhje të plotë me normat Shengen”, vijon teksti i cili është nënshkruar nga 16 vende anëtare të BE-së (Franca, Sllovenia, Gjermania, Austria, Qiproja, Danimarka, Spanja, Estonia, Greqia, Hungaria, Italia, Lituania, Luksemburgu, Sllovakia, Suedia, Republika çeke), si dhe nga Norvegjia. Vendimi i tyre merret disa dite përpara zgjedhjeve legjislative në Serbi të cilat konsiderohen si një referendum pro ose kundër hyrjes në BE.

Birmani, 22 mijë të vdekur nga cikloni

Mediat shtetërore të Birmanisë kanë bërë të ditur se numri i viktimave të ciklonit ka arritur në 22 mijë. Rreth 41 mijë persona konsiderohen të zhdukur. Televizioni shtetëror njoftoi se grupet ushtarake janë të gatshme të pranojnë ndihmën ndërkombëtare për përballimin e krizës. Ndërkohë u bë e ditur se në këtë vend do të mbahet gjatë fundjavës referendumi i caktuar më herët. Ai do të jetë votimi i parë gjatë dy dekadave të sundimit ushtarak të vendit.

Obama e Klinton përballen në Indiana dhe Karolinën e Veriut

Kandidatët demokratë janë përballur gjatë ditës së djeshme në shtetin e Indianës dhe Karolinën e Veriut. Senatorja Hillari Klinton mund ta mbajë të gjallë fushatën e saj vetëm nëse fiton në të dyja shtetet, kurse fitoret e senatorit Barak Obama do ta nxirrnin senatoren Klinton jashtë garës. 187 delegatë për kuvendin e Partisë Demokratike në gusht janë në pyetje në garën në Indiana dhe Karolinën e Veriut. Obama ka më shumë delegatë se Klinton nga garat e deritashme në shtetet amerikane.

SHBA-të tërheqin 3500 ushtarë nga Iraku
Ushtria amerikane ka njoftuar se së shpejti do të tërheqë 3500 ushtarë nga Iraku, në pajtim me vendimin për rigrupimin e forcave, të marrë në muajin shkurt 2007. Ushtarët e Divizionit të tretë të Këmbësorisë do të kthehen gjatë javëve të ardhshme në bazën e Fort Bening, në shtetin federal amerikan Georgia, është pohuar në njoftimin e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmetojnë agjencitë. Ushtarët janë dërguar në Irak si përforcim ndaj përleshjeve ndëretnike në këtë vend.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›